Bota

Kolumbi, kapet ‘mbreti’ i drogës në një operacion ushtarak në xhungël

Trafikanti më i kërkuar i drogës në Kolumbi, Dairo Antonio Usuga, i njohur gjithashtu si “Otoniel”, është arrestuar në pjesën veriperëndimore të vendit, njoftoi qeveria kolumbiane.

Arrestimi i kreut të klanit të Gjirit, "është goditja më e rëndë që i është shkaktuar trafikut të drogës në vendin tonë në këtë shekull, një sukses i krahasueshëm vetëm me rënien e Pablo Escobar".

Kështu ka deklaruar presidenti kolumbian Ivan Duque në Twitter, duke zbuluar edhe disa detaje rreth kapjes së tij. Trafikanti i drogës u kap në Necocli, në veriperëndim të vendit, pranë kufirit me Panamanë.

Ishte "operacioni më i madh në xhungël i bërë ndonjëherë në historinë ushtarake të vendit tonë", tha Duque, me ndihmën e inteligjencës dhe aseteve amerikane dhe britanike.

Për “kokën” e Usugas, ishte vendosur një shpërblim deri në pesë milionë dollarë të vendosur nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

I kërkuar për të paktën gjashtë vjet, bosi 49-vjeçar I drogës, duhet të përgjigjet për 120 akuza të ngritua për krime të ndryshme, duke përfshirë vrasje të shumta dhe eksportin në Amerikën Qendrore, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë të qindrave ton kokainë nga Uraba, rajoni i departamentit të Antiokisë.

Policia kolumbiane ka kryer "një operacion të rëndësishëm satelitor me agjencitë amerikane dhe britanike", shpjegoi në një konferencë shtypi drejtori i forcës policore, gjenerali Jorge Vargas.

Operacioni, gjatë të cilit u vra një oficer policie, mobilizoi rreth 500 anëtarë të forcave të sigurisë, të mbështetur nga 22 helikopterë, tha ai. "Otoniel" u dërgua më pas në Bogota, ku u transportua në një stacion policie nën masa të rrepta sigurie.

I paditur nga drejtësia amerikane në vitin 2009, Usuga është në qendër të një procedure ekstradimi në Gjykatën e Qarkut Jugor të Nju Jorkut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë