Futboll

Kolina si pjesëtar i FIFA-s: Dhuna ndaj arbitrave, kanceri që mund të vrasë futbollin

Gazeta Si – Presidenti i Komisionit Arbitral të FIFA-s ka reaguar pas skandalit në Turqi: "Imazhe të tmerrshme, është një përgjegjësi për të gjithë ata që e duan këtë sport që të aktivizohen dhe të bëjnë diçka”, - ka thënë Pierluixhi Kolina.

Episodi me protagonist arbitrin Meler në Turqi ka tronditur botën e futbollit dhe sidomos kolegët e tij. Dhuna ndaj tij nga presidenti i Ankaragyçy, Faruk Koca, i cili e goditi me grusht në fytyrë, solli pezullimin e kampionatit turk.

Shumë i rëndësishëm qëndrimi i Pierluixhi Kolinës, si drejtues i sektorit të arbitrave në FIFA. “Është i tmerrshëm agresioni ndaj arbitrave, fizik dhe verbal. Meler është një njeri i jashtëzakonshëm dhe një arbitër shumë i mirë. E kam parë shpesh në fushë dhe e kam njohur personalisht në Botërorin U-20 në Argjentinë.

Ai po bënte punën e tij dhe as si njeri dhe as si arbitër nuk e meritonte atë që përjetoi. Pamjet e Meler në fushë, duke u përpjekur të mbrohet nga shkelmat dhe grushtet e agresorëve, janë vërtet shokuese. Është akoma më e tmerrshme të mendosh se janë mijëra arbitra në gjithë botën që janë pre e dhunës. Ndodh edhe në kampionatet inferiore, por nuk pasqyrohet në media.

Dhuna ndaj arbitrave është një kancer që mund ta vrasë futbollin. Një arbitër nuk mund të rrihet për një vendim të marrë dhe makina e tij nuk mund të digjet për një penallti. Është përgjegjësi e të gjithëve që të bëjnë diçka”, - ka thënë Kolina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë