Rend dhe Ligj

Kolegji shkarkon gjyqtarin Lazaj, avokati: Do e çojmë në Strasburg

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkon gjyqtarin Artan Lazaj, duke vendosur kështu largimin e tij nga sistemi i drejtësisë. Edhe pse trupa gjykuese e kryesuar nga Sokol Çomo ka rrëzuar vendimin e parë të KPK-së numër 34, ka vendosur që ta largojë atë nga sistemi i drejtësisë.
Komisoneri i KPA-së, Çomo u shpreh se KPK ka vepruar në kundërshtim me ligjin për kërkesën e Lazajt për përjashtimin e Brunilda Bekteshit, nga trupa që do të jepte vendimin në shkallën e parë.
Në vendimin e arsyetuar shkalla e dytë e vettingut deklaroi se vendimi i KPK për shkarkimin e Lazajt është i pavlefshëm për shkak se janë kryer shkelje të rënda procedurale
“Kërkesa e gjyqtarit duhej shqyrtuar nga një grup tjetër. Vendimi për shkarkimin e Lazaj është marrë në shkelje të ligjit,”- thuhet në vendimin e KPA.

Por edhe pse u cilësua si i padrejtë mënyra se si është vepruar në adresimin e kësaj çështjeje, KPA bëri të ditur se ka kryer një hetim të vetin në lidhje me pasurinë e gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Lazaj në pamundësi për të kthyer çështjen për rishqyrtim KPK-së.
Pas këtij hetimi që ka kryer KPA deklaron se ka gjetur shkelje të pasurisë së deklaruar për apartamentet në Tiranë, duke nënshkruar dy kontrata fiktive. Gjithashtu një ndër shkeljet e tjera lidhet edhe me deklarimet e bashkëshortes së gjyqtarit sa i përket pasurisë, për masën e pjesës takuese dhe të ardhura nga shitja e tyre.
Gjithashtu një tjetër shkelje e konstatuar nga KPA ka qenë edhe sa i përket burimit të të ardhurave të shkollimit të fëmijës së gjyqtarit, duke cilësuar mungesë të detyrimeve të ligjshme prej 8500 eurosh për pagesën.
KPA rihetoi vetë në tre shtyllat figurën e gjyqtarit Lazajt dhe vendosi shkarkimin e tij për deklarim të pasaktë pasuri dhe mungesë të ardhurash të ligjshme.
Trupa gjykuese, bëri të ditur se pasi mori në shqyrtim vendimin, aktet dhe provat, vendosi se për pasurinë apartament në Tiranë, subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm.
Gjyqtari gjithashtu theksoi se ka deklarim të pasaktë për pasurinë në Vlorë. Gjithashtu ka deklarim të pamjaftueshëm për pronën në Porto Romano.
Trupi gjykues i kryesuar nga Sokol Çomo bëri të ditur se pas analizës së bërë për deklarimet e pasurisë nga 2003-2106, ku rezultoi me probleme, me shumicë votash u vendos rrëzimi i vendimit të KPK-së, si dhe shkarkimi nga detyra e gjyqtarit Artan Lazaj.
Pas këtij vendimi, Sokol Hazizaj, avokat i gjyqtarit Lazaj, e cilësoi si antikushtetues. “Vendimi i KPA është haptas i paligjshëm dhe se do t’i drejtohemi Strazburgut”, deklaroi Hazizaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë