Sport

KOKSH nderon me çmime sportistët elitarë shqiptarë, vlerësim edhe për Silvinjon

Gazeta Si – Në një mbrëmje gala të organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar janë nderuar disa nga sportistët tanë elitarë, si dhe trajneri i Kombëtares, Silvinjo. Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin jo vetëm personalitete të sportit, por edhe të politikës, me në krye kryeministrin Edi Rama, apo edhe të ftuar specialë edhe nga jashtë vendit.

Për arritjet e tyre në kompeticionet më të rëndësishme sportive kombëtare e ndërkombëtare janë nderuar disa sportistë të disiplinave të ndryshme.

Janë nderuar të parët dy mundësit e natyralizuar shqiptarë, Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev. Më pas u nderua Briken Calja, i cili çmimin e ka marrë nga ish-peshëngritësi i njohur shqiptar, Luan Shabani. U nderua edhe peshëngritësi tjetër, Erland Qerimaj.

Një vlerësim edhe për trajnerin e Kombëtares, Silvinjo, që çmimin e mori nga kryeministri Rama.

Pastaj kanë vazhduar me radhë vlerësimet për kampionen e bodybilding, Gentiana Beqa, gjimnastin Matvei Petrov, medalistët e Lojërave Olimpike Speciale, Gersi Troka dhe Adi Sula, boksierin Alban Beqiri, atletin i kërcimit së gjati Izmir Smajlaj, bilardistin Eklent Kaçi.

Nuk mund të mungonte vlerësimi për atleten tonë më të mirë, Luiza Gega, që çmimin e ka marrë nga e mirënjohura Pavlina Evro, Mjeshtre e Madhe e Sportit. U nderua gjithashtu edhe trajneri i atletikës, Taulant Stërmasi.

Indrit Çullhaj dhe trajneri i tij Shkurt Çullhaj në xhudo dhe Alvin Karaqi në karate ishin emrat e tjerë që morën vlerësimin përkatës në këtë mbrëmje, ashtu si dhe Ernest Merdanaj dhe Juirdo Cani në Taekuondo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë