Ekspozite

Kohë për Etërit e Kombit

Akti i Pavarësisë, i nënshkruar me dorë nga dyzet firmëtarët më 28 nëntorin e 1912-s, ngjan brenda kutisë së qelqtë të ekspozimit si në kapsulë kohe, që nëse do ta hapje do t’i kthente ngjarjet pas at’mot  kur edhe shqiptarët realizuan vetëdijen kombëtare, për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, siç fqinjët pak para tyre.

Ora e dorës së Luigj Gurakuqit, e vendosur në një tjetër ekspozitor qelqi, të duket se ka fuqinë t’i kthejë në jetë të dyzet portretet në sallën e Muzeut  Historik Kombëtar. Ata janë të gjithë aty.

Akti i Pavarësisë, me 40 nënshkrime

Ismail Qemaj Bej Vlora, Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kacorri, Babë Dudë Karbunara, Veli Harçi, Jani Minga, Dhimitër Tutulani, Rexhep Mitrovica, Abdi Toptani, Mid’hat Frashëri, Ilias Vrioni  e të gjithë ata që e shpallën Shqipërinë të mosvarme...Aty është edhe Aparati Telegrafik Mors, me të cilin qeveria e Përkohshme e Vlorës, ka marrë e dërguar telegrame nga viti 1912-1914, shumë prej tyre me Fuqitë e Mëdha, që më 1913-n  lanë jashtë gjysmën e trojeve dhe popullsisë etnike shqiptare.

Sot, 108 vjetori i Pavarësisë i gjen Fuqitë e Mëdha me premtime (lexo: pengesa) për pranimin e Shqipërisë në familjen europiane, krerët e vendit mes akuzash për njëri-tjetrin dhe ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në gjyqin e Hagës.

Ndoshta dylbitë e Pandeli Cales apo gjyzlykët e Thanas Floqit nuk do ta kishin parë të ardhmen me këtë vizion...

Flamuri i Ismail Qemalit, ai i qëndisuri prej Marigosë, modeli i të cilit feks me një krenari të butë e aspak të përdhunshme si të shumë patriotësh të vetëdeklaruar, është aty mes artefakteve të etërve të pavarësisë e të kombit.

Basorelievi me portreti e Skënderbeut, i cili i përkiste Dom Nikollë Kacorrit, flet ende për idealet e atij brezi burrash, që as pas një shekulli e thuajse një dekade nuk janë përmbushur.

Artefakte

I ngjashëm çdo ditë e më shumë me portretin që mban  në zyrë  e që në daljet e drejtpërdrejta televizive a internetike i rri pas shpine, kryeministri shqiptar Edi Rama, sot mjekërbardhë rreket të imitojë burrështetasin Ismail Qemali me urimin historik  “Flamuri ynë, n’atdhenë t’onë të lirë. Rroftë Flamuri!Rroftë Shqipërija!”.

Fjalë që tingëllojnë më qashtër në gojët e fëmijëve të kopshtit, të emocionuar njëmend për Festën e Flamurit, kur hyjnë në rolin e plakut të urtë, që udhëhoqi rrugëtimin jo të lehtë drejt Pavarësisë apo të Marigosë qëndistares.

Flamuri i Ismail Qemalit

108 vite janë mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern, për përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Urime për 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit! Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar dhe shqiptarët kudo ndodhen!”-shkruante presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Por ata që duan të ndiejnë një urim prej etërve të Pavarësisë e madje edhe notat atdhetare pa patetizëm, i gjejnë në një prej sallave të Muzeut Historik Kombëtar, në një ekspozitë me piktura të realizuara nga piktori Arben Morina.  

40 firmëtarët e Pavarësisë, pikturuar nga Arben Morina

Vetë piktori duket se ka pasur edhe shtysë personale, pasi siç do të rrëfente në çeljen e ekspozitës gjyshi i tij, Zihni Abas Kanina Hamzaraj ishte një nga nismëtarët e shpalljes së pavarësisë.

Në hyrje të presin Ismail bej Vlora dhe Isa Boletini, të realizuar sipas bëmave, në përmasa gjigante, burrat e shtetit që formuan edhe qeverinë e parë të përkohshme, që për nga drita merr gati nota religjioze, si dishepujt në ditën e Ngritjes së Krishtit në Qiej.

Aparati telegrafik mors, i përdorur nga Qeveria e Vlores, 1912-'14

Një ekspozitë që do t’u shërbente më shumë se kurrë brezave të rinj, atyre që këto ditë janë të hutuar mes rregullave të reja që ua bën mësimin disa ditë online dhe disa të tjera  në shkolla, për t’i kundruar një copë herë fytyrat e atyre që lexojnë vetëm si emra në librat e historisë e të magjepsen pas sendeve të kohës, tashmë relikte, por me funksione të rëndësishme për kombin.

Dy Isët- Isa Boletini dhe Ismail Qemali

Në këtë nëntor të çuditshëm, pas një tragjiku që lamë pas vitin e kaluar, me izolimet që kanë vendosur shtetet për të frenuar sa munden mësymjen e virusit, është koha të kujtohemi për identitetin kombëtar – pa nacionalizma dhe ksenofobi- e të nderojmë ata që e ngritën vendin nga statusi i një krahine të fundme të Perandorisë Osmane, në shtetin që është sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë