Futboll

Koeman “godet” Messin: Forma e tij mund të ishte më e mirë

Që Ronald Koeman ka zgjedhur momentin më të keq për të marrë Barcelonën, nuk kishte dyshime. Holandezi mund të ulej më herët në pankinën e Camp Nou, kur Bartomeu shkarkoi Valverde pavarësisht vendit të parë në kampionat. Por në atë moment tekniku donte të drejtonte Holandën në Euro-2020, që pastaj u shty me një vit për shkak të Covid-19. E kur Barça shkarkoi Quique Setien, ai e kuptoi se ishte mundësia e fundit. Nga ai moment ndodhi pothuaj gjithçka.

Në fillim çështja Messi, me Pleshtin që kërkoi me ngulm të largohej dhe u mbajt me forcë. Pastaj lamtumira e Suarez, me shumë helm ndaj teknikut. E në fund një nisje sezoni të dështuar, ku humbja me Getafe i tërboi tifozët. Koeman, ndërkohë, u kap me të tijtë. Griezmann i pari, që nga grumbullimi i Francës tha se Deschamps arrin ti marrë më të mirën. Pastaj Koeman pati idenë, shumë të keqe, të ngacmojë ‘Leon’ që fle, në konferencën për shtyp para debutimit në Champions League kundër Ferencvaros.

Si bën të ditur Goal, holandezi është ndalur te forma e Messit, duke e kritikuar. “Ndoshta forma e Messi-t mund të ishte më e mirë në këtë moment”. Pastaj Koeman u mundua ta rregullojë. “Por është i kënaqur, stërvitet mirë, është i përqendruar, dëshiron të luajë, do të jetë kapiteni ynë e po përmirësohet”. Është e qartë, që nëse dikush flet negativisht për formën e argjentinasit, në Barcelonë konsiderohet si tradhtar. Dhe duke marrë parasysh që në verë, kur Messi u përpoq të largohej nga Camp Nou, Koeman po mendonte për një Barça pa të, të dy nuk është se shihen me sy të mirë me njëri-tjetrin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë