Politike

Kodi, Rama: Rrëzojmë Metën dhe e kalojmë pa asnjë ndryshim

gazetasi

Mazhoranca është e bindur që të rrëzojë dekretin e Presidentit Ilir Meta që ka kthyer për rishqyrtim në Parlamenti Kodin Zgjedhor.

Kryeministri Edi Rama e përsëriti të theksuar këtë bindje në përfundim të mbledhjes së zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste me drejtuesit politikë të qarqeve.

“Votojmë sa më shpejt kur të caktohet seanca e votimit, pa asnjë dyshim pikë dhe presje. Do të votojmë Kodin siç është votuar nga Parlamenti”, deklaroi Rama.

Kryeministri hodhi poshtë akuzat e Presidentit Ilir Meta se ndryshimet janë të njëanshme. Ai tha se shumica e siguruar në Kuvend gjatë votimit të këtyre ndryshimeve në seancën e 5 tetorit nuk mund të sfidohet nga askush, aq më pak nga Ilir Meta.

“Një shumicë që është kuptimplotë dhe askush nuk mund të vendosë në diskutim vullnetin e Parlamentit për asnjë arsye, aq më pak Ilir Meta”, u shpreh Rama.

Presidenti thotë se i është drejtuar edhe Komisionit të Venecias për një opinion mbi këto ndryshime.

“Këto ndryshime të shpejta, të padialoguara dhe të padakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, ashtu si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane; në mungesë të Gjykatës Kushtetuese funksionale; dhe në respektim të kërkesës zyrtare që më është paraqitur nga Kryetari i Opozitës së Bashkuar për marrjen e një opinioni pranë Komisionit të Venecias, si President i Republikës, në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces”, thuhet në arsyetimin e Presidencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë