Politike

Kodi, kapitull i mbyllur për Brukselin. Presidenti i KE: Pres konferencën e parë ndërqeveritare

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel zhvilloi të premten një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama.

“Në një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama. Pres me padurim konferencën e parë ndërqeveritare që do të mblidhet pas miratimit të kornizës negociuese.

Mirëpresim angazhimin për reformat e bëra dhe implementimin. Solidariteti i ndërsjellë gjatë pandemisë së COVID19 ka përforcuar më tej marrëdhënien BE-Shqipëri,”- shkruan ai.

Biseda mes Presidentit të Këshillit Europian dhe kryeministrit Edi Rama është zhvilluar të premten një ditë pas kalimit në Kuvend të Kodit të ri Zgjedhor pa asnjë ndryshim.

Zhvillimi i kësaj telefonate dhe mos cekja e kësaj çështje, si dhe  nënvizimi i faktit se gjithçka është në pritje të konferencës së parë ndërqeveritare tregon sa duket që kjo çështje është e mbyllur si kapitull edhe për Brukselin.   

Për këtë bisedë të zhvilluar, ka komentuar në Facebook edhe kryeministri Edi Rama.

“Një bashkëbisedim si gjithnjë miqësor, i hapur, interesant me Presidentin e Këshillit Europian dhe mikun e çmuar, Charles Michel, një mbështetës i pakursyer i integrimit europian të Shqipërisë e të Ballkanit Perëndimor

Folëm për Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri - BE, si hap domethënës në rrugën drejt anëtarësimit pas çeljes së negociatave; Planin Europian të Investimeve në rajonin tonë; ecurinë e Shengenit Rajonal dhe tematikën e konflikteve në zonën e OSBE”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë