Biznes

Kodi Detar bllokon investimet e bizneseve të lundrimit në det dhe nxit korrupsionin

Shqipëria vazhdon të japë shembuj spektakolarë sesi ligjet pengojnë zhvillimin ekonomik dhe sipërmarrjen.

Të paktën dy vitet e fundit në vendin tonë ka rritje të bizneseve vendase që  po eksplorojnë dhe marrin më shumë përftime nga deti përmes ofrimit të lundrimeve ditore dhe turizmit detar në tërësi .

Vetëm në Sarandë mësohet se janë regjistruar 16 të tilla në regjistrin detar që kryejnë lundrime për turistët në  plazh përgjatë vijës bregdetare. Rritje të anijeve turistike vendase me flamur shqiptar ka në Vlorë dhe në qytetet e tjera me dalje në det.

Por vështirësia qëndron gjetiu...

Bizneset ndodhen në pamundësi për të rekrutuar stafe vendase që nga kapitenët, marinarët dhe pozicione te tjera.  Në Shqipëri nuk kualifikon mjaftueshëm njerëz për këtë fushë dhe  kërkesa për stafe është më e madhe nga ajo që ofron tregu ndaj krijohet nevoja për t’i marrë në shtete të tjera. Kodi Detar i rregulluar krijon një ngërç, ku thuhet se mjetet lundruese turistike të argëtimit nuk mund të operojnë me ekuipazh të huaj, por vetëm vendas.

Sipas z.Aleksandër Gjermeni, kryetari i Shoqatës së Detarëve “Adrijon”, anijet në Shqipëri operojnë me kapitenë dhe oficerë të huaj dhe “në rast se ndalohet nga ligji, atëherë ata po punojnë në kundërshtim me të”.

Këtu është krijuar një raport i zhdrejtë që ka lënë hapësirë për abuzime me vendet e punës në këtë fushë dhe shkelje të Kodit Detar.

Një gjë të tillë  më herët e ka përmendur dhe Ministri i Turizmit, duke treguar se tregu i punës në flotat detare të transportit dhe turizmit të Shqipërisë ka mungesë të punonjësve të kualifikuar, por nuk u bë asnjë tentativë për ndryshim, të paktën përkohësisht. 

Momentalisht në Shqipëri ofrohet programi i Navigacionit dhe menaxhuesit detar në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, “Ismail Qemali” në Vlorë dhe në shkollën profesionale “Hysni Çela.

Arsimi i ofruar për këtë fushë cilësohet i pamjaftueshëm dhe nuk jep siguri për t’i lënë atyre studentëve anijet në dorë.

Duke përmendur faktin se vetë z.Gjermeni do të nisej për një udhëtim në Turqi që të njihej me njerëz potencialë për ekuipazh në anijet, shton se shumë anije drejtohen ende me oficerë dhe kapitenë të moshuar. Ata pak të rinj që janë përgatitur për këtë fushë nuk japin siguri që t’u besohet drejtimi i anijes.

“Mungojnë njerëzit e përgatitur për të punuar në det. Shkollat që janë "nxjerrin" navigatorë, por një numër fare i vogël prej tyre duan të punojnë në det edhe këta janë të paaftë e me mangësi të mëdha. Ndërkohë që nevojat për oficerë e kapitenë janë të mëdha”.

Një tjetër problem që përmend kreu i Shoqatës së Detarëve është edhe pasiguria dhe hezitimi që kanë të rinjtë për të punuar me detin.

“Puna në det është tepër e vështirë dhe kërkon siguri e përgatitje të lartë. Gabimi më i vogël në det kushton shumë shtrenjtë, madje edhe me jetë.”

Anijet në Shqipëri përveç se për ekuipazh, sipas z.Gjermeni, vuajnë edhe për punonjës të mekanikës. Shumica, siç i referohet ai “merren nga rruga”, por motori i një anije nuk është i njëjtë me atë të një makine.

Në shkurt të këtij vitit Kodi detar  u ndryshua dhe lejoi që ekupiazhet e anijeve më flamur shqiptarë mund të jenë nga vendet të tjera si Turqia, apo apo çdo anëtar tjetër i OECD. Por vetëm për anijet e tonazhit të lartë që kryejnë lundrime ndërkombëtare Mbeti në fuqi kufizimi për anijet shqiptare që ofrojnë udhëtime të argëtimit ditor. Ato duhet të kenë vetëm kapitenë shqiptarë. Në kushtet kur vendi nuk i ofron kaq numra sa kërkon biznesi, fillon shkelja e ligjit dhe një mundësi e artë për  zyrtarët e shtetit për  korrupsion në këmbim të mbylljes së syve. Praktkisht jemi në kushtet kur bizneset turistike të lundrimit duan të zhvillohen dhe kanë investuara mijëra euro, por ligji i pengon të ushtrojnë aktivitetin. Ka vetëm një zgjidhje ose të ndryshojë ligji për një afat deri sa të krijohen stafet shqiptare ndoshta të vihet edhe kushti që bizneset e lundrimit të kenë në anije edhe studentë për praktikat... ose korrupsion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë