Treg

Rrjeta e biznesit për peshkatarë është e çarë

“Tregu i punës në fushën e peshkimit në Shqipëri është i etur për peshkatarë, por kërkesa nuk plotësohet nga oferta ”,-thotë për Gazetasi.al, Ylli Qevani, profesori i degës së detarisë, peshkimit dhe marinës në shkollën profesionale “Hysen Cela” në qytetin e Durrësit, e vetmja që e ofron një edukim të tillë.

Z.Qevani shton se ky vit i ri shkollor solli më shumë nxënës të interesuar për këtë punë, ndryshe nga vitet e mëparshme. Viti i parë në këtë shkollë ka 25 nxënës që studiojnë detarinë. Ai tregon se numri i ulët vjen si shkak i mosinteresimit dhe rrezikut që sjell puna.  

Qeveria ofron një bursë rreth 60-70 mijë lekë për nxënësit që ndjekin këtë degë si stimul për ta pasuruar më shumë, ndonëse nuk duket ta ketë arritur plotësisht qëllimin.

“Tregu është shumë i etur dhe ata që diplomohen në këtë degë përsëri nuk i plotësojnë të gjitha kërkesat që ka për peshkatarë. Sa herë që i nxjerr studentët në praktikë, të zotët e anijeve më thonë gjithmonë që t’i le aty për punë”,- tregon profesori duke shtuar dhe se nga të diplomuarit vetëm 70% mund të futen në tregun e punës.

“Të tjerët largohen, nisin universitetin apo thjesht nuk punojnë.”

Një problem që professor Qevani përmend si shumë të rëndësishëm, është mungesa e mundësisë së praktikës dhe se ai vetë mundohet t’I dërgojë nxënësit nëpër anijet e shokëve apo të të njohurve të vet. 

“Ata janë shumë entuziastë, thonë se nuk duan as bursën, por duan të dalin në det. Italia i lidh shkollat e peshkimit me strukturat përkatëse që t’i orientojë në tregun e punës, këtu nuk ka një gjë të tillë edhe pse shumë herë kemi bërë kërkesa.”

Ylli Qevani, që është njëkohësisht dhe kapiten anije tregon se mungesën e fuqisë punëtore e vuan dhe marina, bashkë me peshkimin.

Administratori i Organizatës së Menaxhimit të Portit të Peshkimit Durrës, OMPD, Olsi Simsija, tregon për "SI", që atje punojnë 70 peshkatarë të ardhur nga Egjipti për të përmbushur nevojat, sepse në Shqipëri nuk ka të tillë. Gjë që ka sjellë pengesa të tjera, si vështirësia në komunikim.

“Ata që kanë qenë kanë ikur tani, ka shumë pak të rinjë të dalë nga shkolla dhe kanë shumë pak interes. I duket e vështirë, sepse në fakt është punë e vështirë. Tregu ka nevojë, shumë nevojë, por ka mungesë peshkatarësh.”

Simsija tregon se pagat për peshkatarët janë mbi mesataren bruto, duke shkuar dhe deri në 100.000 lekë në muaj. Sipas të ardhurave, fitimi ndahet me përqindje, 60% subjekti dhe 40% ekuipazhi. Ndonëse, ka ditë që puna nuk shkon aq mirë sa zakonisht.

“Problemi i mungesës së peshkatarëve nuk është vetëm në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë, Sarandë.”

Sipas tij, hapja e nje shkolle më e madhe për peshkimin, referuar fjalës së Kryeministrit Rama, me shumë mundësi do të rritet interesi bashkë me stimulin për t’u bërë pjesë e saj.

Peshkatarët e specializuar dhe të vjetër në profesion, janë tashmë të vjetër dhe në moshë e janë tërhequr nga profesioni duke lënë vendet bosh për peshkatarë e rinj, me gjasa të mos plotësohen më.

Në një monitorim të 5-vjeçarit të fundit, sektori i akuakulturës në Shqipëri ka pasur rritje të konsiderueshme, ndikuar nga bizneset e reja dhe rritja e eksporteve. Por, mungesa e stafit dhe profesionistëve po kthehet në një rrjetë që nuk “zë” vetëm peshq.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë