Politike

Koalicioni “PD-AN” me 14 parti. Pak para mesnate arrihet edhe marrëveshja me Bamir Topin

Në afatin limit të regjistrimit të koalicioneve, me dosjen e marrëveshjes në dorë, Fatmir Mediu u fut në selinë e PD-së thjesht për simbolike mëngjesin e së mërkurës.

Qëndroi pak minuta dhe doli më të njëjtën shprehi  fytyre siç u fut.

Ai kishte mbyllur gjithçka më të mandatuarit e Bashës një natë më parë.

 “Kjo është një marrëveshje që ka përmbledhur qëndrimet që i shërbejnë fitores. Marrëveshja i jep edhe autoritetin ligjor PD që të përcjellë në KQZ edhe raportet politike të çdo partie”, tha Fatmir Mediu për mediat.

Marrëveshja mes PD dhe PR është mbyllur në parim me dy emra të sigurt në listën e PD, por kryerepublikani sqaroi kinse se asgjë nuk mbaron sot në këtë drejtim.

Gjithçka do të shihet kur të publikohet lista e kandidatëve për deputet, që i përket një faze tjetër. Paraprakisht Mediu nuk e fshehu se kishin arritur rezultat konkret.   

 “Ky është një proces që nuk mbaron sot, është një proces që vazhdon.  E kem thënë proporcionaliteti, dhe këtu kemi rënë dakord, është një vlerë që duhet të vlerësohet...”, tha Mediu, i cili do të garojë në Tiranë.

I qeshur dhe me batuta u pa të hynte në PD edhe kryetari i PAA-së, Agron Duka ndër emrat e pare që ka mbyllur marrëveshjen me Lulzim Bashën duke u renditur i treti në listën e PD-së për qarkun e Durrësit.

“Më doli fati...”, tha Duka për mediat, teksa i drejtohej selisë së PD për të firmosur marrëveshjen e përbashkët, përmbajtja e të cilës do të jetë e njëjtë për të gjithë, por secila me anekse sipas peshës elektorale të  partive.

Basha ka mbyllur negociatat dhe me partinë e Artur Roshit që drejton Ballin Kombëtar Demokrat i cili nuk pranoi vendimin e opozitës për të dalë jashtë Kuvendit.

Artur Roshi qëndroi në Kuvend, por marrëdhëniet me PD-në u stabilizuan kur ai  vendosi të bojkotojë zgjedhjet e qershorit.

Në listën e aleatëve është edhe Vangjel Dule që ka garantuar të sigurt emrin e tij në listat e PD, legalistet dhe PDIU (edhe me këtë forcë politike një marrëveshje në parim).

"PDIU-ja do i afrojë aleancës mbi 40-50 mijë vota dhe padyshim që nuk është problemi i mandateve të PDIU ne jemi për një sinergji të përbashkët që Shqipëria të fitojë“, u shpreh Shpëtim Idrizi për mediat pas daljes nga selia e PD. Edhe Idrizi mësohet se do të kandidojë në Tiranë

Ndërkohë, Bamir Topi ia ka deleguar Sali Shehut bashkëpunëtorit të tij të ngushtë vijimin e negociatave me zyrtarët e PD.

Negociatat e mbrëmjes

Sali Shehu ngjiti shkallët e PD të mërkurën në mbrëmjë vetëm pak orë nga skadimi i afatit të regjistrimit të koalicioneve në KQZ. Shehu ka qëndruar vetëm pak minuta në PD ndërsa deklaroi për mediat se do të negocionte me kryesine e FRD nëse duhet të firmoste apo jo.

Megjithatë, ai paralajmëroi se do të ketë lajme të mira për të dy partitë. Pak para mesnate në Selinë Blu u rikthye për firmë Sali Shehu, ndërsa nuk dihen detajet, nëse FRD ka një vend të sigurt për deputet sic kerkonte apo jo. Ndaj ne limitet kohore, pak para mesnate, Ivi Kaso, përfaqësuesi i PD dërgoi në KQZ kërkesën për Koalicion të PD me 13 parti.

Ndërkohë është mbyllur në mbrëmje vonë edhe marrëveshja me Nard Ndokën. Ky i fundit duket se do të sakrifikojë më shumë sesa PD-ja sepse edhe pse ka hedhur firmën, Ndoka nuk ka marrë sigurinë që të jetë i pesti i rënditur në listën e PD-së për qarkun Shkodër, një pozicion që Ndoka me heret kishte kërkuar të rishihej për një vend më lart ne liste

Një detaj tjetër që pritet të sqarohet është edhe mundësia e daljes në një listë e PD dhe LSI në qarkun e Dibrës dhe Kukësit, një marifet zgjedhor ky mes dy partive pasi ligjërisht LSI duhet të dalë me listën e saj edhe në këto dy qarqe

Koalicioni i opozitës do të ketë emrin "Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”.   /     N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë