Politike

Koalicioni me PD. A do të kemi përsëri rrokadën Idrizi-Dule?

“Dua t’i uroj mirëseardhjen Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe liderit të saj Shpëtim Idrizi në Frontin e Opozitës së Bashkuar”. Me këto fjalë, Lulzim Basha njoftonte ditën e diel arritjen e marrëveshjes me PDIU-në, që iu bashkua aksionit opozitar.

Kjo nuk është hera e parë që forca politike e Shpëtim Idrizit bashkëpunon me demokratët, por është hera e parë që ky bashkëpunim firmoset nga Lulzim Basha. Dy partitë kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, ku theksi vendoset tek dy kauzat kryesore që kanë partitë; shkëputja e lidhjeve të krimit me qeverinë, për demokratët dhe çështjen çame për PDIU-në.

Lulzim Basha e cilësoi “vlerë të shtuar” këtë afrim të PDIU-së, që për hir të së vërtetës përveç kësaj, aktualisht nuk ka se çfarë t’i ofrojë Partisë Demokratike, të paktën në Parlament. Tre deputetët e zgjedhur nën siglën e partisë së Shpëtim Idrizit do të vazhdojnë të mbështesin mazhorancën. Idrizi e konfirmoi këtë.

“Këta deputetë që nuk janë as anëtarë të Komunitetit Shqiptar të Çamërisë, janë ndodhur rastësisht nëpër listat tona. Kanë qenë të katërt, të pestët, të gjashtët në lista dhe po të zgjatem, ju e dini që është ekzekutuar mandati i Tiranës, i Fierit dhe i të parit të Elbasanit, në mënyrë që të hyjnë njerëz të rastësishëm. Kjo pyetje duhej bërë një vit më parë, sepse ata dolën nën siglën e PDIU-së, por që ditën e parë votuan për maxhorancën. Për ta mbyllur, nëse do t’i pyesni sot nuk e dinë as ku është selia e PDIU-së”, thotë ai.

Shpëtim Idrizi nuk e përkufizon marrëveshjen si dalje të PDIU-së në opozitë. Ai thotë se kjo forcë politike ka më shumë se një vit që është në opozitë dhe se pakti me Bashën është vetëm bashkimi i partisë që drejton me koalicionin opozitar.

Nga Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e përshëndeti këtë lëvizje dhe i uroi mirëseardhjen Shpëtim Idrizit në misionin e largimit të Kryeministrit Edi Rama. Por, jo të gjithë e mirëpresin PDIU-në në këtë front të opozitës.

Vangjel Dule u takua me Lulzim Bashën një ditë para se ky i fundit të njoftonte edhe zyrtarisht aleancën e re me PDIU-në. Nga ky takim askush nuk ka folur dhe zyrtarisht PBDNJ nuk është ende pjesë e frontit të drejtuar nga PD.

Basha dhe drejtues te tjere te frontit opozitar, perfshire Vangjel Dulen

Ditët në vazhdim do të zbulojnë nëse Vangjel Dule, që u zgjodh deputet në Qarkun e Vlorës i renditur në listat e Partisë Demokratike, do të jetë pjesë e këtij fronti apo jo. Vendimi i takon vetëm Dules, pasi si Basha ashtu edhe Idrizi lanë derën hapur për të.

“Bashkëpunimi me Partinë Drejtësi Integrim dhe Unitet, jo vetëm nuk drejtohet kundër interesave të minoritetit grek apo çështjeve të tjera të drejtave të njeriut por është një vlerë e shtuar në përpjekjen e Partisë Demokratike si forca kryesore e opozitës për të kontribuar realisht dhe racionalisht në avancimin sipas standardeve dhe vlerave europiane të kauzave të të gjithë anëatrëve të koalicionit tonë duke përfshirë edhe Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, thotë Lulzim Basha.

Ky qëndrim i Bashës mori miratimin e Shpëtim Idrizit, por mbetet për t’u parë nëse do të marrë miratimin e Vangjel Dules apo jo dhe rreziku që kjo lëvizje, që në dukje përforcon opozitën politike, rrezikon që të dobësojë atë parlamentare, pasi tre deputetët e zgjedhur nën siglën e PDIU-së duket se do t’u qëndrojnë besnikë socialistëve, ndërsa rrezikohet që të largohet mandati i Vangjel Dules. Deri më tani s’ka asgjë konkrete, por e shkuara sugjeron këtë si skenarin më të mundshëm.

Në 2015, kur Shpëtim Idrizi iu bashkua koalicionit të Edi Ramës dhe u zgjodh nënkryetar i Kuvendit, ashtu si Vangjel Dule, ky i fundit u dorëhoq dhe u largua nga koalicioni i mazhorancës për t’u bashkuar sërish me PD-në, por këtë herë në opozitë.

Tani Shpëtim Idrizi e “ndjek” sërish nga pas dhe një sinjal të dobët se cili do të jetë qëndrimi i PBDNJ-së, një sinjal Vangjel Dule e dha në takimin me Bashën.

“PDIU ka prioritetet e veta. PBDNJ në radhë të parë ka prioritetet e veta dhe për aq kohë janë në afrimitet me një forcë tjetër do të vijojë bashkëpunimi me PD-në. Që nga momenti që nuk ekziston kjo bazë e realitetit të zhvillimeve politike atëhëre mungojnë premisat për një gjë të tillë”, deklaroi Dule.

Omonia thirrje Dules: Largohu nga koalicioni me PD

Në pritje të qëndrimit zyrtar që do të mbajë PBDNJ mbi të ardhmen e koalicionit me PD pas mbërritjes në këtë koalicion të PDIU-së, shoqata e minoritetit grek, Omonia është e qartë se cili duhet të jetë vendimi.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, kjo organizatë e quan “kontaminim të panevojshëm platformën e opozitës. Sipas Omonias, programi i PDIU-së bie ndesh me politikat e fqinjësisë së mirë dhe për më tepër, thotë shoqata, zbeh manifestimin publik.

“Si Minoritet Etnik Grek kemi qenë dhe ngelemi të angazhuar në nxitjen e zhvillimeve politike në drejtimin e kristalizimit të forcave dhe programeve që kanë në epiqendër integrimin e vendit në familjen Euroatlantike dhe imunizimin e shoqërisë nga propozime anakronike nacionaliste, që vetëm se minojnë përpjekjen për kohezion social, prosperitet dhe progres të popullit shqiptar”, thuhet në deklaratë.

“E çmojmë si lëvizje të panevojshme dhe të parargumentuar zhvillimin e djeshëm dhe tekstin shoqërues të marrveshjes së koalicionit reciprok. Logjika e numrave shpie në spekulime jo të shëndetshme për jetën politike. Profili politik i PD-së i lidhur me përparimin e procesit të përfshirjes së Shqipërisë në familjen Euroatlantike është cënuar nga adoptimi i axhendës që minon marrdhënien e qetë me Greqinë fqinje, mbështetës konseguent të zhvillimit real të Shqipërisë dhe popullit shqiptar”, vijon deklarata.

Në fund i kërkohet PBDNJ të ripërcaktojë qëndrimin e vet politik.

“Ne si OMONOIA i drejtohemi PBDNJ, që pas rikonsiderimit të situatës politike, të ripërcaktojë raportet e saj politike dhe të vijojë të orientojë sipas mundësisë, politikën, në drejtimin e duhur të precipitimit të platformave sterile nga nacionalizimi shterp dhe pa argument”, mbyllet deklarata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë