Ngjarje

KMSH: Çështja e “Shën Sofisë” të mos cënojë harmoninë fetare

Komuniteti Mysliman Shqiptar nuk dëshiron as të komentojë dhe as të përfshihet në debatin mbi vendimin e Turqisë për të rikthyer në xhami Shën Sofinë në Stamboll. Megjithatë, burime të gazetës “Si” nga KMSH e interpretojnë këtë si një vendim të drejtësisë turke, nisur nga fakti që rihapja si xhami e ndërtesës së mbrojtur nga UNESCO u bë me vendim gjyqësor, e për rrjedhojë edhe çështje të brendshme të shtetit turk.

Burimet thonë se reagimeve ndërkombëtare u mungon koherenca dhe ndryshe nga Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare, KMSh nuk do t’u bashkohet atyre kundër këtij vendimi të Turqisë.

“Ata harrojnë që ajo ka qenë për 5 shekuj xhami dhe tani po rihapet sërish. Kjo po ndodh në një vend me shumicë myslimane. Nëse mund të quhej problem, atëherë do të ishte nëse do të hapej në një vend ku nuk ka myslimanë”, thonë burimet.

Burimet nuk komentojnë në veçanti reagimet nga kleri katolik dhe ortodoks shqiptar, por thonë se këto qëndrime të tyre nuk kanë pse të cenojnë harmoninë fetare në Shqipëri.

Duke iu referuar qëndrimeve të autoriteteve turke, Komuniteti Mysliman Shqiptar thotë se hapja si xhami e Shën Sofisë nuk cenon vlerat e saj kulturore dhe historike, si pjesë e trashëgimisë botërore.

“Rihapja si xhami nuk pengon askënd që ta vizitojë atë dhe vetë Turqia ka deklaruar se nuk do t’i ndalojë vizitorët”, thonë burimet.

Burime heqin edhe një paralelizëm dhe thonë se për një pjesë të mirë të myslimanëve ka një qëndrim me dy standarde të Perëndimit për këtë çështje.

“Nëse i kërkon Turqisë që të ruajë si muze Shën Sofinë, atëherë duhet t’i kërkojnë edhe Spanjës e Portugalisë, që të kthejnë në muze katedralet dhe kishat funksionale që janë ngritur mbi xhami”, thonë burimet.

Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë