Futboll

Klubet sfidojnë qeverinë, sot në fushë për ndeshje miqësore?

Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar datën 3 qershor për rinisjen e kampionatit, ndërsa qeveria shqiptare ende nuk është shprehur zyrtarisht për miratimin ose jo të kësaj date. Deri tani ka lejuar zhvillimin e stërvitjes kolektive në ambient të hapur, por jo aktivitetet sportive, ku përfshihen edhe ndeshjet miqësore.

Klubet e Superiores dhe ato të Kategorisë së parë kanë programuar për sot pikërisht disa ndeshje miqësore, duke qenë të limituar me kohën, pasi të mërkurën e javës së ardhshme nisin ndeshjet zyrtare dhe teste të tilla janë të domosdoshme, për më tepër kur futbollistët vijnë pas një pushimi shumë të gjatë. Kjo është edhe një sfidë ndaj qeverisë në këtë moment. Fundjavën që shkoi ishin planifikuar disa miqësore, por nuk u zhvilluan, sepse nuk u dha miratimi as nga federata dhe as nga qeveria. Mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë sot.

Partizani, Skënderbeu, Dinamo, Laçi, Besëlidhja e shumë skuadra të tjera kanë menduar që sot t’i testojnë ekipet në një ndeshje reale, si një “provë gjenerale“ para rinisjes së kampionatit, por mungon një “ok” nga qeveria jo vetëm për këto ndeshje, por edhe për datën 3 qershor që ka fiksuar federata për rifillimin e Superiores.

Futbolli ka specifikën e vet dhe nuk mund të bëhet gati sot për nesër, ndaj dhe klubet insistojnë për zhvillimin e këtyre ndeshjeve miqësore, megjithatë asgjë nuk mund të bëhet pa miratimin e autoriteteve përkatëse. Njerëzit e futbollit në vend presin që nga momenti në moment vetë kryeministri Rama, apo Ministria e Shëndetësisë të “certifikojnë” rinisjen e ndeshjeve. Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë