Para

KLSH: Institucionet shtetërore, dëm buxhetit të shtetit me 90 mld lekë

Nga Gazeta 'SI' - Institucionet publike i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik prej 1.5 mld lekësh gjatë vitit 2022, sipas auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Këto parregullsi kanë shkaktuar një tjetër dëm në buxhetin e shtetit, prej 88.5 mld lekë.

Parregullsitë në menaxhimin e buxheteve nga institucionet i kanë shkaktuar buxhetit të vendit një dëm prej 88.5 mld lekësh

KLSH ka sqaruar se dëmi ekonomik i referohet detyrimit të shpërblimit monetar të një individi ose subjekti që i shkaktohet entit shtetëror të audituar në lidhje me veprime ose mosveprime në cenim të disiplinës financiare dhe kuadrit rregullator përkatës.

Kurse efekti negativ në performancën e subjekteve nën auditim u referohet efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe menaxhimit me eficiencë dhe efektivitet të fondeve publike.

KLSH përcakton se fusha që ka sjellë më shumë dëm ekonomik tek të ardhurat është ajo e e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore. Ndërsa dëm ekonomik në shpenzime, KLSH përcakton fushën e investimeve dhe pas saj vijnë pagat, sigurimet dhe shpërblimet.

Në grupin e shpenzimeve, pjesën më të madhe e mban kategoria “të tjera”, ndjekur nga shpenzimet për investime dhe pas saj shpenzimet operative.

Edhe tek efektet negative për shkak të parregullsive, fusha me shkeljet më të mëdha në grupin e të ardhurave është ajo e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, ndjekur nga zbatimi i legjislacionit tatimor në qeverisjen lokale.

Shkeljet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk i përfshijnë të gjithë institucionet e administratës publike por vetëm ato që janë audituar sipas programit të parashikuar. Referuar raportit vjetor gjatë vitit 2022, auditimet janë zhvilluar në 205 subjekte.

Ato kanë përfshirë institucione të qeverisjes qendrore: ministri dhe agjenci përfshirë: drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre; njësi të vetëqeverisjes vendore: qarqe dhe bashki; institucione që administrojnë fonde speciale: ISSH dhe FSDKSH, institucione të pavarura; shoqëri aksionare me kapital shtetëror në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj.

Sipas KLSH në institucionet e audituara gjatë periudhës janar – dhjetor 2022, KLSH ka adresuar gjithsej 5.420 rekomandime, nga të cilat: 52 propozime për përmirësime ligjore; 3.283 masa organizative; 1.047 masa disiplinore dhe administrative, 352 masa për shpërblim dëmi dhe 686 masa për efekte negative në buxhet.

Më herët gjate vitit 2022, auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe dëmi ekonomik në rritje, nxiti Ministrinë e Financave të prezantojë një draftligj të ri “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, me qëllim reduktimin e shkeljeve, keqmenaxhimit të financave dhe rritjes së transparencës.

Sipas draftit, titullarët e njësive të qeverisjes së përgjithshme do të detyrohen të caktojnë një nënpunës autorizues, për efekt të menaxhimit financiar dhe kontrollit, cakton si nëpunës autorizues të nivelit të dytë drejtuesit e programeve e nënprogrameve të çdo strukture dhe njësie të varësisë direkte, për të cilat identifikohet buxhet i veçantë.

Njësitë publike miratojnë planet e menaxhimit për trajtimin e risqeve, të cilat përditësohen çdo tre vjet ose sa herë që ka ndryshime thelbësore të mjedisit të riskut. Nëpunësi autorizues analizon dhe përditëson kontrollet që synojnë minimizimin e riskut, të paktën një herë në vit. Nëse vërehen shkelje, duhet të raportohen menjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë