Ekonomi

KLSH: Barnat, dëm ekonomik prej 11.8 mln lekë

KLSH auditon cilësinë dhe sigurinë e barnave në rrjetin e hapur farmaceutik dhe shërbimin spitalor, rezultati; kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe pacientëve janë shumë larg realizimit.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, është shkaktuar dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 11,798,547 lekë në total.

Sipas raportit të auditimit, mungesa e objektivave strategjikë për shërbimin farmaceutik në vend ka bërë që politikat e ndërmarra nga qeveria për këtë sektor të mos jenë efektive në drejtim të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së barnave.

Po ashtu edhe heqja e detyrimit ligjor për importin e barnave të prodhuara në vendet e Ballkanit, që ato të qarkullojnë në një nga vendet e BE-së, duke u mjaftuar vetëm që ato të kenë regjistrim lokal në vendet e origjinës, e ka ekspozuar qytetarin shqiptar ndaj ilaçeve, të cilat vijnë nga vende që nuk kanë standardet e BE-së, në drejtim të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së barnave.

Gjatjet e KLSH-së tregojnë se; Ligji i barnave, i cili ka më shumë se 4 vjet që është miratuar, mbetet i pa zbatueshëm plotësisht, për arsye se një pjesë e konsiderueshme e akteve nënligjore, që parashikohen për zbatimin e tij, ende nuk janë miratuar, duke ndikuar në garantimin e cilësinë dhe sigurinë e barnave që qarkullojnë në vend.

 Barnat që qarkullojnë në tregun vendas, në pjesën më të madhe të tyre nuk janë të pajisura me fletë-udhëzuesin në gjuhën shqipe, megjithëse ky është një detyrim i përcaktuar në rregulloren për dhënien e autorizimit për tregtim të barit, por që nuk është respektuar nga subjektet tregtare të sektorit farmaceutik.

 Nga verifikimi fizik në depon qendrore të farmacisë në QSUT, u konstatuan barna që nuk ishin të pajisura me pullën me mbishkrimin “çmim spitalor”, por me pullën “çmim në vlerë leku”, e cila përdoret vetëm për barnat që qarkullojnë në rrjetin e hapur farmaceutik, duke rritur mundësinë për abuzime nga strukturat spitalore, duke i kaluar këto barna nga farmacia spitalore në farmacitë e rrjetit të hapur me qëllim tregtimin e tyre.

 Laboratori i Agjencisë së Kontrollit të Barnave, ende nuk është i akredituar për kryerjen e analizave të barnave, si dhe aparaturat që ka në dispozicion janë të pamjaftueshme për kryerjen e plotë të analizave për cilësinë e barnave, dhe të pa kalibruara, duke cenuar drejtpërdrejtë saktësinë dhe besueshmërinë e rezultateve të analizave.

 Agjencia e Kontrollit të Barnave për periudhën 2017-2018, nuk ka respektuar përcaktimet ligjore për kryerjen e numrit të detyrueshëm të analizave të barnave, duke analizuar vetëm 12% të barnave që kanë qarkulluar në tregun vendas, dukuri e cila ka ndikuar negativisht në cilësinë dhe sigurinë e barnave.

 Procesi i planifikimit për barna dhe materiale mjekimi, në Qendrën Spitalore Univeristare “Nënë Tereza” zhvillohet si një procedurë rutinore pa reflektuar dhe analizuar tregues të rëndësishëm statistikor, si konsumin mesatar vjetor, mujor, dukuri e cila ka sjell që barnat e planifikuara për konsum, nuk pasqyrojnë realisht kërkesat e shërbimeve spitalore në QSUT, si dhe ka krijuar sasi të mëdha stoku barnash të skaduara.

 Sistemi i farmakovigjilencës pranë Agjencisë së Kontrollit të Barnave është pothuajse inekzistent në veprimtarinë e tij, për arsye se nuk ka kryer asnjë monitorim dhe studim për efikasitetin e barnave që qarkullojnë në Shqipëri, duke rritur edhe mundësitë që të cenohet siguria e barnave që qarkullojnë në tregun vendas dhe për rrjedhojë edhe e shëndetit të konsumatorit.

 Agjencia e Kontrollit të Barnave nuk ka kryer asnjë kontroll pranë farmacive spitalore, për kushtet në të cilat ruhen dhe qarkullojnë barnat, si dhe për llojin e pullës e sigurisë së vendosur në paketimin e tyre, duke ndikuar negativisht në cilësinë dhe sigurinë e barnave që qarkullojnë në spitalet publike.

 Agjencia e Kontrollit të Barnave nuk ka kryer asnjë kontroll tek prodhuesit vendas të barnave, për proceset dhe lëndët e para, që përdoren për prodhimin e barnave, duke cenuar rëndë cilësinë dhe sigurinë e barnave të fabrikuara brenda Republikës së Shqipërisë.

 

Më Shumë