Rend dhe Ligj

KLP online, emërohet një drejtues prokurorie

Nga situata e krijuar me Covid-19, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka organizuar këtë të mërkurë në orën 11.00 mbledhjen plenare përmes platformës online.

Në mbledhjen online kanë qenë të pranishëm 8 anëtarë, por ka munguar prokurorja Esmeralda Keshi (Cami).

Mësohet se Këshilli ka vendosur në mënyrë unanime caktimin e Gjon Fusha, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër, për një periudhë kohore nga data 16.04.2020 – 15.07.2020.

Sic thuhet në njoftimin për mediat, KLP, pasi u njoh me relacionin shpjegues nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, ka vendosur të japë leje të papaguar për arsye familjare për z. Elion Mustafaj, prokuror në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për periudhën 1 vjeçare duke filluar nga data 01.05.2020 deri në datë 30.04.2021.

Këshilli vendosi unanimisht edhe miratimin e projektvendimit “Për krijimin dhe administrimin pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë të Dosjes Personale dhe të Regjistrit të Prokurorëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë