Lajme

KLP kthen te Krimet e Rënda prokurorët Çela dhe Hajdarmataj

Me 6 vota pro dhe 5 kundër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ditën e sotme vendosi kthimin në detyrë te Prokuroria e Krimeve të Rënda të prokurorëve Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj.
Që të dy ata pas përplasjes me Donika Prelën për dosjen Shullazi u transferuan në Berat e Pogradec, ndërsa pas padisë në gjykatë fituan çështjen. Kjo pasi gjykata shpalli të paligjshëm urdhrat e Arta Markut.
Pavarësisht vendimit, në mbledhje nuk munguan debatet mes anëtareve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët ndanë mendime të ndryshme mbi çështjen në fjalë.
Kjo e sotmja ishte mbledhja e tretë e radhës që prej konstituimit. Në rendin e ditës ishin disa projektvendime si miratimi i strukturës së KLP dhe propozimi i buxhetit për 2019.
Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, gjatë fjalës së tij u ndal edhe te plotësimi i vendeve vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit, ku deri tani kanë aplikuar vetëm prokurorët Klodian Braho dhe Besnik Muçi.
Ibrahimi përsëriti thirrjen ndaj prokurorëve që të bëhen pjesë e këtij institucioni që do të luftojë korrupsionin dhe krimin.
“U çelën procedurat për plotësimin e 15 vendeve vakante për SPAK, por deri tani kemi dy kandidime. Këshilli vendosi që të bënte një lehtësim të dokumentacionit, përmes një e-maili që u është dërguar të gjithë prokurorëve. U lehtësua ndjeshëm lista e dokumenteve. Shpresojmë që ky lehtësim të jetë inkurajues. Thirrje të gjithë prokurorëve me integritet që të mos e humbin këtë mundësi për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme”, u shpreh kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi.
Ndërkohë, anëtari Kostaq Beluri propozoi një strukturë shtesë të KLP-së prej 6 prokurorësh, propozim që u miratua me 9 vota pro dhe 2 kundër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë