Lajme

KLP hap garën për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe anëtarët

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dhënë informacione në lidhje për të gjithë të interesuarit që duan të jenë pjesë apo kandidatë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Siç thuhet në njoftimin e KLP-së, duke pasur parasysh ritmin me të cilin po ecën procesi i Vettingut në sistemin e drejtësisë, shumë shpejt do të njoftohet krijimi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Më pas, KLP shpjegon se pas këtij çasti Këshilli do të emërojë Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe pas këtij procesi do të fillojë etapa e përzgjedhjes së Drejtuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

“Ata që janë të interesuar për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të BKH-së duhet t’i referohen ligjit ‘Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar’ (Ligji për SPAK-un), 2016”, thuhet në njoftimin e KLP-së.
Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë në përbërje 60 hetues.
“Aplikantët për pozicionin e drejtorit dhe hetuesit të BKH-së duhet të dinë që procesi i përzgjedhjes do të jetë shumë rigoroz dhe sfidues. Ai është përcaktuar në Ligjin për SPAK-un dhe do të vlerësojë aftësitë profesionale, integritetin si dhe aftësitë mendore e fizike të aplikantëve”, thuhet më tej në njoftim.

Aplikantët që përzgjidhen duhet të paraqiten për:
(a) Një provim me shkrim ku përfshihen teste konjitive të sjelljes dhe të arsyetimit logjik.
(b) Një provim me shkrim që mat aftësitë në hartimin e raporteve.
(c) Hetim mbi verifikimin e figurës që konfirmon që personi nuk është dënuar e nuk është shpallur më parë fajtor për vepra penale.
(d) Intervistim dhe përzgjedhje nga Paneli i Përzgjedhjes i SPAK-ut.
(e) Testim i gjendjes fizike e shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë