Politike

Klosi: Më 10-11 maj, votime ‘një anëtar-një votë’ për delegatët e Kongresit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi tha në Asamblenë Socialiste të Tiranës, se do të ketë votime sipas parimit ‘një anëtar një votë’ në gjithë strukturat e PS-së në datat 10 dhe 11 maj.

“T’i hapim rrugën fazës tjetër që ka të bëjë me punën në terren. Partia Socialiste pasi mbyll fazën e tretë të rienergjizimit me votimet e Kongresit ditën e nesërme, fillon procesin në terren. Edhe PS e Tiranës duhet të fillojë punën me ekipet në terren që është censi për të kuptuar dhe evidentuar çdo votë që do të kemi mundësi që të marrim. Një nga pikat është dita e nesërme, procesi i votimit me parimin një anëtar-një votë në të gjithë strukturën e PS-së në shkallë vendi”, u shpreh ai.

Klosi theksoi se ditën e premte, nga ora 3 e pasdites e deri në orën 7 do të hapen qendrat e votimit në 5 200 organizata socialiste në Shqipëri, ku do të votohet sipas parimit “1 anëtar 1 votë”.

“Kemi zgjedhur 2 ditë për të kryer këtë proces, më 10 maj dhe 11 maj për të pasur mundësinë që t’i japim hapësira 95 mijë anëtarëve të PS-së për të votuar në këtë proces zgjedhor. Delegatët e Kongresit duhet të jenë përfaqësues të një fryme të re që vetë partia kërkon brenda organizatës së saj goxha të strukturuar. Kemi në garën për 950 delegatë të Kongresit plot 23 mijë shoqe dhe shokë që kandidojnë për të qenë pjesë e këtij forumi të lartë të PS-së”, tha Klosi.

Sipas tij, “më shumë se 3/4 e kandidatëve të Kongresit janë anëtarë të rinj”.

“Kongresi i PS-së do të zhvillohet në qershor të këtij viti për të zgjedhur Asamblenë e re. Data 10 dhe 11 maj do të shënojnë një proces që do të jetë në zbatim të rregullave të PS-së, një proces model i votimit të anëtarësisë së PS-së në çdo organizatë socialiste për të dëshmuar se sa të gatshëm jemi për të hyrë në betejë të fortë elektorale”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë