Libra

Kliti sjell anën e panjohur të babait Kadri Roshi në një libër: Ç’më tha çastet e fundit të jetës

Nga Gazeta Si - “Sa shumë është folur për Kadri Roshin për anën profesionale, por kush është ky njeri që arriti deri këtu?”. Ishte ky mendimi i parë që i erdhi në mendje Kliti Roshit, të birit të Kadri Roshit 3 vite më parë që më pas i dha indicien të organizonte aktivitetin përkujtimor në nder të 100-vjetorit të lindjes së kolosit të skenës shqiptare, Kadri Roshi.

“Fillova avash-avash të hulumtoj e mbledh informacion dhe mendova që është shkruar për Kadriun si aktor, qoftë nga Josif Papagjoni, nga Petrit Ruka etj, dhe mund të thuash është folur krejtësisht për anën e tij profesionale, po për mua në radhë të parë duhet të dish për njeriun”, shprehet i biri Kliti Roshi për Gazetasi.al lidhur me aktivitetin përkujtimor për Kadri Roshin që do të mbahet sonte në mbrëmje në ambientet e teatrit, aty ku ishte dhe shtëpia e tij e dytë.

“Zgjodha teatrin, sepse aty ishte shtëpia e tij. Nuk kishte kuptim diku tjetër, pasi në fillim isha për në muze”.

Nëpërmjet një dokumentari realizuar për të do të sillet ndërmend vepra e tij artistike si një monument kulture, por do të promovohet edhe libri kushtuar tij që mban titullin “Në jetët e të tjerëve” ku personalitete të artit, medias dhe politikës shqiptare kanë ndarë në libër kujtimet e tyre personale me Kadri Roshin.

“Vendosa që ta ndërtoj këtë libër duke u nisur nga mendimet, opinionet, kujtimet dhe mbresat, pra gjithmonë duke e parë në anën njerëzore, private të atyre njerëzve që ka pasur më afër”, kujton i biri zanafillën e këtij libri që sot vjen i finalizuar.

Më datë 3 shkurt të vitit 2021 do të bënte telefonatën e parë për të marrë një copëz kujtimesh dhe mbresash për njeriun Kadri Roshi.

“Kërkova një shkrim duke e parë gjithmonë në këtë këndvështrim, pra anën njerëzore, dhe nga i pari deri tek i fundit, që sot unë librin e kam në dorë, janë 90 personalitete të fushave të ndryshme që kanë shkruar”, shprehet Kliti Roshi për Gazetasi.al.

Për figurën e tij artistike janë shkruar qindra artikuj, janë xhiruar dokumentarë e janë botuar edhe monografi, por i biri, Kliti Roshi thotë se rrallëkush prej artdashësve mund të ketë lexuar për Kadriun si njeri, si ishte ai pas një shfaqjeje, në një ditë pushimi, në takime me miq, duke pirë një gotë raki apo kur peshkonte, një ndër pasionet e mëdha të tij.

“Në libër janë përfshirë më shumë njerëz që kanë punuar me të dhe e njohin nga afër si Josif Papagjoni, Ruzhdi Pulaha, Osman Mula, Yllka Mujo, Vladimir Kasaj, i cili ma nisi shkrimin tri ditë para se të ndërronte jetë. Ai fliste gjithmonë për artin dhe peshkimin. Edhe duke diskutuar për artin ai shpaloste elementë të karakterit të tij njerëzor, pavarësisht se nuk ndahen dot jeta dhe vepra e tij”, shprehet Roshi, ndërsa shton se “nuk mund të flasësh për Kadriun pa e lidhur me artin, por nuk mund të flasësh për artin e Kadriut pa e lidhur me një episod të jetës së tij private”.

Sipas tij, ajo që gjithë nxjerrin në pah në këtë libër është se Kadri Roshi ishte i mbështjellë nga thjeshtësia dhe modestia.

“Nga të gjithë ato që janë shkruar, nuk mund të them që ka ndonjë batutë që ta shkëpus, por më ka pëlqyer vetëm një gjë se të tërë që kanë shkruar, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë nxjerrë në pah një nga cilësitë ndoshta më të bukura që duhet të ketë një njeri që është thjeshtësia. Nga të gjithë ky element ka dalë. Nuk ka gjë më të bukur për një njeri që është dikush që të jetë njeri i thjeshtë. Nuk ka nevojë të rrahësh gjoksin për të thënë se çfarë artisti je, sepse është spektatori që të gjykon”, vijon më tej i biri i Kadri Roshit për Gazetasi.al.

Ajo që personalitetet e fushave të ndryshme nxjerrin në pah për Kadri Roshin e që pasqyrohet në këtë libër është se e njihte mirë jetën dhe e studionte jetën, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë shkollimit dhe kulturës në veçanti.

“Nuk shkohet me intuitë te roli, por duhet edhe shumë punë. P.sh është punuar shumë fort për dramën Arturo Ui. Dhe duhet ta dinë mirë të gjithë Arturo Ui i parë shqiptar ka qenë Kadri Roshi. Edhe historiani më i madh gjerman të vinte, nuk mund të debatonte dot me Kadriun. I kishte lexuar dhe studiuar të gjitha materialet dhe mund të fliste me një siguri absolute, vetëm kështu ai mund të shkonte te Arturo Ui”, shprehet ndër të tjera Kliti Roshi, për të se sa njeri i punës që ishte.

Ai përfundon duke thënë se “edhe në grahmat e fundit të tij më tha: ‘bir, të nxënit nuk ka fund’”, duke nxjerrë në pah se sa e donte Kadri Roshin dijen dhe të nxënit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë