Lajme

Klement Balili del sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda

Pas vetëdorëzimit dje në Policinë e Shtetit, Klement Balili do të dalë nesër para Gjykatës së Krimeve të Rënda, pasi do të verifikohen veprimet hetimore të prokurorit dhe kushtet e ndalimit. Sot është hedhur shorti, ku Miljana Muça është zgjedhur gjyqtarja paraprake për çështjen e Klement Balilit.
Gjyqtarja paraprake do të bëjë verifikimin e kushteve të masës së sigurisë për të. Muça do të shikojë edhe veprimet e prokurorisë që ka bërë deri tani.
Po ashtu, kjo gjyqtare do të vendosë nëse dosja do të shkojë në gjykim apo t’ia kthejë Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Gjykata pritet që të vendosë masën “burg pa afat” për Balilin, i etiketuar ndryshe edhe si “Eskobari i Ballkanit”, i cili shumë shpejt pritet që të përballet me akuzat, pasi dosja është dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda për gjykim.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur katër akuza për të. Ai do përballet në gjykatë me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim në formën e Grupit të Strukturuar Kriminal, “Pjesëmarrje në Grupin e Strukturuar Kriminal”, “Refuzim për deklarimin e pasurisë” pranë ILDKPI dhe “Pastrim i Produkteve të Veprës penale” (lexo këtu).
Vetëdorëzimi i “Eskobarit të Ballkanit” u bë pas negociatave ku u përfshinë avokati i tij, Theodhori Sollaku, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si dhe nipi i tij, i cili mban dhe postin e kryetarit të Bashkisë Delvinë, Rigels Balili.
Po ashtu, vetëdorëzimi erdhi vetëm një ditë, pasi u njoftua se kishte mbërritur letërporosia nga Greqia. Hetimet për Balilin janë shtyrë disa herë vitin e shkuar, pasi pritej letërporosia nga Greqia, e cila ka mbërritur te Krimet e Rënda më 30 dhjetor 2018, pasi këmbënguli disa herë vitin e shkuar dhe kërkoi prova shtesë ndaj 46-vjeçarit.
Ditën e djeshme, vetë kreu i policisë, Ardi Veliu, shkoi në Delvinë dhe shoqëroi Balilin drejt Tiranës.

Gjatë kohës që ishte në kërkim, për afro tri vite, vihet re edhe një ndryshim i madh në aspektin fizik të Klement Balilit. Ai shfaqet shumë ndryshe nga fotoja e vetme që ka qarkulluar nëpër media keto vite.
Kush është Klement Balili?
Klement Balili i vetëdorëzuar dje në polici akuzohet si kreu i një grupi kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai ka qenë për 2 vite drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës në 2016, emëruar nga LSI-ja.
Pikërisht në këtë vit nisi edhe historia. Mediat greke në 2016 pohuan se një sasi prej 700 kilogramë Cannabis Sativa që u sekuestrua asokohe në vendin helen i përkiste Klement Balilit. Hetimi ndaj Balilit në Greqi është bërë nga “DEA” amerikane dhe policia greke. Në këtë hetim, DEA amerikane e policia greke janë asistuar edhe nga policia shqiptare.
Balili të vetmen dalje publike e ka në 2016-ën, duke mohuar akuzat e drejtësisë greke më pas u arratis, pasi u shpall në kërkim. Ai është pronar i disa bizneseve duke filluar nga “Santa Quaranta” në Sarandë, Hotel Olivia në bregdetin e Butrintit, ndërkohë që së bashku me vëllezërit e tij ka qenë pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk” në qarkun e Vlorës dhe disa bizneseve të tjera.
Pas shpalljes në kërkim, atij iu bllokuan asetet që kishte në pronësi, ndërsa dështuan disa operacione për ta prangosur. Për arrestimin e Balilit nuk kanë munguar dhe qëndrimet e selive diplomatike. Ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, gjatë mandatit që shërbeu në Shqipëri e cilësoi “peshk i madh”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë