Futboll

Klauzolat e 241 faqeve të akordit për M.Junajtid, nga ndalimi i kritikave te penalitetet!

Gazeta Si - Pakt për të mos bërë kritika, penalitet në rast se marrëveshja dështon pikërisht tani, në fazën e ratifikimit, mbikqyrje e merkatos së janarit në pritje për të marrë në dorë administrimin sportiv të klubit. Janë disa nga klauzolat e akordit prej 241 faqesh mes familjes Glazer dhe Jim Ratcliffe për hyrjen e këtij të fundit te Mançester Junajtid.

Marrëveshja është prezantuar formalisht në bursën e Nju Jorkut dhe prej aty është bërë e ditur për publikun, duke ngritur siparin mbi akordin që Ratcliffe ka arritur.

Akordet janë të qarta: Ratcliffe dhe Ineos do të bëjnë merkaton e Junajtid sapo marrëveshja prej 1.2 miliardë eurosh për 25% të kuotave të ratifikohet nga Premier Liga. Nuk do të ndodhë para 4-6 javësh, kështu që për momentin administrimi sportiv i klubit mbetet në duart e pronarëve aktualë. Edhe për merkaton e janarit.

Me një klauzolë të rëndësishme: çdo vendim sportiv duhet të aprovohet nga Ratcliffe dhe bashkëpunëtorët e tij. Vlen për gjithçka, edhe për shkarkimin e trajnerit Erik Ten Hag që po diskutohet, apo për shitjen e Sanço.

Një tjetër pikë e akordit është ajo e ndalimit të kritikave. Vlen si për Glazer, të urryer nga tifozët, ashtu edhe për Ratcliffe. “Ndalohen sulmet personale, kritikat apo komentet e tjera denigruese karshi shitësve, blerësve, njerëzve pranë tyre dhe skuadrës”, - shkruhet në akordin mes palëve.

Dokumentet e publikuara në Nju Jork tregojnë edhe të dhëna të tjera. Ratcliffe me 1.2 miliardë ka blerë 25% të kuotave nëpërmjet një kompanie që quhet ‘Trawlers Ltd’, të financuar prej tij dhe që ka marrë emrin nga një frazë e 1995-ës së Erik Kantona, lojtari i preferuar i baronit.

Kuota e Ineos do të shkojë në 28.9% sapo 270 milionë euro të premtuara për rinovimin e ‘Old Trafford’ të investohen. Ka edhe një penalitet të parashikuar në akord. Nëse Glazer ndryshojnë mendje tani, Ratcliffe do të përfitonte 59.3 milionë euro si penalitet, duke përfshirë 16.2 milionë për mbulimin e shpenzimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë