Kinema

Kirk Douglas, shuhet në moshën 103-vjeçare Spartaku i famshëm, ylli i Hollivudit të Artë

Legjenda e Hollivudit, Kirk Douglas vdiq në moshën 103-vjeçare. “Spartaku” më i njohur i të gjitha kohërave ndërroi jetë të mërkurën në shtëpinë e tij në Beverly Hills, të Kalifornisë. Ai la pas gruan e tij prej 65 vjetësh Anne Buydens dhe tre djemtë e tij Michael, Joel dhe Peter.
Djali i tij Michael Douglas, një ikonë më vetë e kinematografisë, dha lajmin për vdekjen e të atit në një deklaratë emocionale. “Me trishtim të jashtëzakonshëm, vëllezërit e mi dhe unë njoftojmë se Kirk Douglas na la sot në moshën 103 vjeç. Për botën, ai ishte një legjendë, një aktor nga epoka e artë e filmave që jetoi mirë në vitet e tij të arta, një njeri humanist përkushtimi i të cilit në kauzat që besonte vendosi një standard për të gjithë ne”, tha Michael Douglas.

“Por për mua dhe vëllezërit e mi Joel dhe Peter ai ishte thjesht babi; për Katerinën, një vjehërr i mrekullueshëm, nipërit dhe mbesat humbën gjyshin e tyre të dashur, ndërsa gruaja e tij Anne, humbi një burrë të mrekullueshëm. Jeta e Kirkit ishte jetuar mirë dhe ai lë një trashëgimi në film që do të durojë për brezat që do vijnë, gjithashtu dhe një histori si një filantrop i njohur që punoi për të ndihmuar publikun dhe për të sjellë paqen në planet. Më lejoni të përfundoj me fjalët që i thashë në ditëlindjen e tij të fundit dhe të cilat gjithmonë do të mbesin të vërteta. Babi - të dua shumë dhe jam shumë krenar që jam biri yt”, tha i emocionuar Michael Douglas. Gruaja e Michael, Catherine Zeta-Jones, ishte në mesin e atyre që drejtuan lutje dhe dhanë dedikime: “Për Kirkun tim të dashur, unë do të të dua për gjithë jetën. Më mungon që tani. Gjumë të ëmbël…”

Douglas pësoi një goditje në tru në 1996 që e la atë me probleme në të folur dhe i dëmtoi nervat e fytyrës. Por kjo nuk e ndaloi atë të marrë pjesë në ceremoninë e Çmimeve Ocar dy javë më vonë për të marrë një çmim për arritjet në jetë. Pas kësaj ai kishte pasur shëndet relativisht të mirë.

Në vitin 1996 ku u nderua me çmimin Oscar për karrierën

Douglas ishte fëmijë i emigrantëve hebrenj rusë që çau me mund në rrugën e vështirë për t'u bërë një nga yjet më të mëdhenj të Hollivudit. Aktori dhe producenti i njohur, i cili ishte një nga të fundit të Epokës së Artë të Hollivudit, bëri më shumë se 90 filma në një karrierë që shtrihej gjatë shtatë dekadave. Ai ishte i njohur për rolet e burrave të ashpër “macho”. Filmat si “Spartacus” dhe “The Vikings” e bënë atë një nga yjet më të mëdhenj të viteve '50 dhe '60.
Douglas mori një vlerësim kritik për rolin e tij në “Spartacus” (1960), ku luajti udhëheqësin gladiator të një revolte të skllevërve romakë. Ylli i tij u ngjit lart me rolin e një boksieri të paskrupullt te “Kampioni” (1949).

Ai ka punuar me disa nga regjisorët më të mëdhenj të Hollivudit - nga Vincente Minnelli dhe Billy Ëilder tek Stanley Kubrick dhe Elia Kazan. Karriera e tij filloi pikërisht në kulmin e fuqisë së studiove hollivudiane, më shumë se 70 vjet më parë, dhe përfundoi në një epokë më të larmishme, të decentralizuar që ai ndihmoi për të sjellë.

Ai ishte nominuar tre herë për aktorin më të mirë Oscar në vitin 1949 për “Kampion”-in, “The Bad and the Beautiful” (1953) dhe “Lust for Life” (1957). Douglas kurrë nuk mori një çmim për një film individual, por Akademia i dha atij një Oskar nderi në vitin 1996 për rolin e tij si një forcë krijuese dhe morale në industrinë e filmit.
Në vitet e tij të fundit, ai konsiderohej si një nga lidhjet e fundit me të ashtuquajturën “Epoka e Artë” - një njeri gati aq i vjetër sa vetë industria hollivudiane. Karriera e tij filmike u zbeh gjatë viteve 1960 dhe Douglas u kthye drejt mediave të tjera.
Në vitet 1970 dhe 1980, ai bëri disa filma të rëndësishëm televizivë, përfshirë “Fitoren në Entebbe” dhe “Amos”, të cilët trajtonin abuzimin ndaj të moshuarve. Në vitet ‘70, ai u bë një autor me librat e tij, duke përfshirë kujtimet e Birit të Ragmanit, romanet “Dance With Devil” dhe “The Gift” dhe libër i shkurtër që tregonte për krijimin e “Spartacus”.

Ylli i Kirk Douglas në Bulevardin e Famës

Douglas gjithashtu u bë një nga filantropët kryesorë të Hollivudit. Fondacioni Douglas, të cilin ai dhe Anne Douglas e themeluan, ka dhuruar miliona dollarë për një gamë të gjerë institucionesh, nga Spitali i Fëmijëve në Los Anxhelos, tek Fondi Motion Picture & Television. Në vitin 2015, fondacioni nisi të dhuronte edhe Bursën Kirk Douglas - një shkollim i plotë, bursë dyvjeçare - në Institutin Amerikan të Filmit.

Douglas la pas gruan e tij të dytë Anne Buydens, tashmë 100 vjeç dhe tre djem. Një fëmijë i katërt, Eric, i vdiq nga një mbidozë droge në të 40-tat e tij, në vitin 2004.
Douglas ishte djali i dy emigrantëve hebrenj rusë që u rrit në varfëri për t'u bërë më pas një legjendë e ekranit. Ai kishte të dashura si Marlene Dietrich apo Rita Hayworth. Douglas u martua dy herë dhe pranoi në autobiografinë e tij se i kishte tradhëtuar të dyja gratë. Me gruan e tij të parë, Diana Dill, pati Michael, një aktor i famshëm gjithashtu, dhe Joel. Pasi Diane Dill u nda nga jeta në vitin 1951, ai u martua me Anne Buydens tre vjet më vonë dhe së bashku patën edhe dy djem, Peter dhe Eric.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë