Ne rrjet

Kinezët konsultohen me strategun Kissinger dhe ‘miku i vjetër’ sugjeron një linjë për Tajvanin

Misioni i parë amerikan i ambasadorit të ri kinez në SHBA, ishte një takim me strategun amerikan të politikës së jashtme njëqindvjeçare, arkitekt i shkrirjes së akujve mes dy superfuqive gjysmë shekulli më parë.

Gazeta Si - Ambasadori i ri kinez në Shtetet e Bashkuara, ka zgjedhur Kent-in në Konektikat për misionin e tij të parë amerikan jashtë Uashingtonit. Çfarë ka shkuar të bëjë Shkëlqesia e Tij, Xie Feng në një fshat të bukur me vetëm 3019 banorë?

Njëri prej tyre është Henry Kissinger dhe Xie shkoi për të bërë nderimet e tij në ditëlindjen e tij të 100-të të shtunën. Nuk ishte thjesht një mirësjellje.

Për dekada, komunistëve u pëlqen të konsultohen me strategun e vjetër të politikës së jashtme dhe ndërsa Kissinger bën thirrje për dialog dhe qetësi mes dy superfuqive, ata përpiqen të vijnë në anën e tij për të treguar përmbajtje. Agjencia e Lajmeve Xinhua, shkruan se Xie dhe Kissinger, "patën një shkëmbim të thellë pikëpamjesh mbi marrëdhëniet kinezo-amerikane dhe çështjet me interes të përbashkët".

"Ajo që i mungon më shumë politikës amerikane sot, është pragmatizmi i kombinuar me racionalitetin e Henry Kissinger": titullohej në editorialin e saj, “Global Times”, gazeta e Partisë Komuniste të Pekinit.

I pashmangshëm në koment është përkufizimi "lao peng you", "mik i vjetër" i popullit kinez, i cili në fjalorin e politikës aziatike, është i rezervuar për personalitetet e mëdha të huaja që kontribuan në ngritjen e Kinës.

Me misionet e tij sekrete në vitin 1971, Këshilltari i atëhershëm i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, përgatiti shkrirjen e akujve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës me Zhou Enlai dhe në vitin 1972, ai solli Richard Nixon në takim me Mao Ce Dun në Qytetin e Ndaluar, duke ndryshuar historinë.

Në bazë të pikës së kthesës, është pranimi nga Shtetet e Bashkuara të ekzistencës së "Një Kinë", e cila përfshin Tajvanin.

Tani megjithatë, ankohet editoriali, "shumë kongresmenë amerikanë që nuk mund ta gjejnë Tajvanin në një hartë, dominojnë politikën me propozimet e tyre radikale anti-kineze".

Gazeta komuniste citon intervistën e dhënë javën e kaluar nga Kissinger për “Economist”, gjatë së cilës doktor Kissinger tha se "fati i njerëzimit varet nga mundësia që Amerika dhe Kina të gjejnë një marrëveshje".

Pekini kujton shpesh se baza e marrëdhënieve me Uashingtonin është parimi "Një Kinë", se "ribashkimi i Tajvanit është i pashmangshëm", se do të ishte më mirë përmes politikës, por opsioni i forcës ushtarake është alternativa.

Kissinger është akuzuar nga shkencëtarë të ndryshëm politikë se ka nënvlerësuar vendosmërinë e Maos ndaj Tajvanit në vitin 1971 (ose se ka sakrifikuar ishullin aleat).

Por strategu i vjetër i real-politikës i kujtoi “Economist”-it, se Mao shmangu të merrej me ndonjë çështje specifike, duke u fshehur pas shprehjes, "Unë jam filozof, le t'ia lëmë pyetjet konkrete Zhou Enlait dhe Kissinger".

Megjithatë, "kur u ngrit çështja tajvaneze, timonieri i madh komunist ishte i qartë: ‘Ata në ishull janë një bandë kundër-revolucionarësh, ne nuk kemi nevojë për ta tani. Mund të presim njëqind vjet, ka shumë kohë’”, kujton Dr. Kissinger dhe përfundon: “Ajo deklaratë e Maos në fakt pranoi formulën tonë për një zgjidhje jo ushtarake dhe kjo u bë baza e marrëveshjes sonë”.

Kina e Xi Jinping lëviz shumë më shpejt se ajo e Maos. Kanë kaluar pesëdhjetë vjet dhe timonieri i ri ngutet, kërkon t'i dorëzohet historisë si unifikues.

Ka një garë armësh rreth ishullit demokratik, midis dy anëve të ngushticës dhe një luftë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në rast të një pushtimi duket e pashmangshme.

Kissinger vëren se "siç gjërat kanë evoluar tani, nuk është e lehtë për Shtetet e Bashkuara të largohen nga Tajvani pa dëmtuar pozicionin e saj global, kështu, që kjo zgjidhje nuk është në tryezë".

Kështu që? Lufta do të shkatërronte ishullin dhe ekonominë botërore dhe do t'i kushtonte Kinës shumë vite krize, moszhvillimi dhe pengesa, paralajmëron Kissinger.

Sugjerimi, thirrja e diplomatit të vjetër është që të dy presidentët të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe të përpiqen të gjejnë ndonjë temë ndërkombëtare për bashkëpunim. Diplomacia e Pekinit nuk e ka problem të diskutojë.

Megjithatë, ka një pikë themelore në mendimin e mikut 100-vjeçar të popullit kinez që shtypi i Pekinit nuk e ka marrë.

Sipas tij, Tajvani "është një problem i pazgjidhshëm, zgjidhja e vetme është ruajtja e status quo-së për më shumë vite, gjatë të cilave të dy palët duhet të shmangin kërcënimet dhe të kufizojnë vendosjet kundër njëra-tjetrës".

Në thelb, Kissinger sugjeron të hiqet dorë nga të paktën të gjitha qindra vitet e pritjes që kishte përmendur Mao.

Përshtati: Gazeta ‘Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë