Analize

Kina përgjon BE-në prej 3 vitesh!

Përgjatë tre viteve të fundit pothuajse të gjitha misionet, takimet dhe bisedat diplomatike të Bashkimit Evropian duket se janë përgjuar nga hackerat kinezë.

“The New York Times” ka njoftuar të mërkurën se të gjitha kabllogramet diplomatike të Bashkimit Evropian gjatë tre vjetëve të fundit janë shkarkuar në një faqe tjetër.

Mijëra mesazhe diplomatike duket se janë përgjuar, përfshi edhe komentet dhe direktivat e dhëna nga Presidenti Donald Trump për tregtinë globale. Edhe pse zyrtarët evropianë thonë se informacionet që janë përgjuar dhe publikuar tanimë nga mediat nuk janë konfidenciale, ekspertët kanë ngritur alarmin se hackerat kanë “shtënë në dorë” të dhëna mjaft të rëndësishme për t’u përdorur si armë ndaj BE-së.

Një ekspert kibernetik thotë për “New York Times” se metodat e përdorura nga hackerat ishin të ngjashme me ato të përdorura nga ushtria kineze. "Nuk nuk ka dyshim se ky sulm është i lidhur me qeverinë kineze", tha ai.

Mes mesazheve të përgjuara, të njohura si kabllograme diplomatike, është edhe një bisedë në të cilin diplomatët flasin për takimin e Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin në korrik, duke e konsideruar atë si mjaft të suksesshëm (të paktën për Putinin).

Presidenti Donald Trump dhe Vladimir Putin

Çfarë ndodhi?

Sipas kompanisë “Area1” që zbuloi rrjedhjen e informacioneve, hackerat arritën të merrnin të gjitha fjalëkalimet e nevojshme për t'u lidhur me të gjithë bazën e të dhënave të shkëmbimeve elektronike të BE-së. Gjithçka u bë e mundur pas një sulmi fillestar ndaj diplomatëve në Qipro, i cili u mundësoi hackerave qasje në të gjitha sistemet elektronike qipriote.

"Nuk u desh asgjë të sofistikuar për këtë sulm," tha Oren Falkowitz për NYT.

Për tre vjet, hackerat kopjuan informacionin e ndjeshëm nga BE-ja në një faqe të sigurt interneti që ata kishin ngritur. “Area1” pretendon se metodat e përdorura mbajnë të gjitha shenjat dalluese të sulmeve që përdoren nga një njësi elite e Ushtrisë Çlirimtare Kineze.

Sikur mos të mjaftonte kjo, hackerat kishin përgjuar edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Federatën Amerikane të Punës dhe Kongresin e Organizatave Industriale, si dhe ministri të ndryshme të punëve të jashtme dhe të financave në mbarë botën.

Presidenti Xi Jinginng dhe Angela Merkel

Çfarë thonë kabllogramet diplomatike?

Kabllogramet përmbajnë raporte nga diplomatët e BE-së mbi krizën e vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës pas aneksimit të Krimesë, katër vjet më parë. Një kabllogram i 8 shkurtit të atij viti paralajmëronte se gadishulli është bërë një "zonë e nxehtë ku mund të jenë vendosur tashmë armët bërthamore".

Dokumentet gjithashtu hedhin dritë mbi vështirësitë e diplomatëve të BE-së për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë me administratën Trump, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, klimën dhe daljen nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Caroline Vicini, nënkryetarja e misionit të BE-së në Uashington, rekomandonte në një nga këto përgjime që diplomatët evuropianë të lënë mënjanë presidentin Trump duke u marrë drejtpërdrejt me Kongresin Amerikan dhe duke theksuar interesat e shteteve anëtare për çështje që varionin nga tregtia deri tek energjia e rinovueshme.

Mes kabllogrameve ishte edhe ajo e një takimi privat me presidentin e Kinës Xi Jinping, në të cilin ai citohej të thoshte se vendi i tij "nuk do t'i nënshtrohej provokimeve të SHBA-së edhe nëse lufta tregtare do t’i dëmtonte të gjithë".

Lideret e Bashkimit Europian

Lajm i keq për BE-në

Sulmi kibernetik është padyshim një goditje e madhe për bllokun evropian sepse zbulon punën e brendshme të aparatit të saj diplomatik. Ky sulm ishte i fundit që vërtetoi se sa e dobët është mbrojtja e BE-së kundër kërcënimeve kibernetike.

Megjithatë, pjesa më e madhe e dokumenteve të shkarkuara kanë të bëjnë me “punët e zakonshme” të diplomacisë, si raportet mbi takimet dhe udhëtimet diplomatike. Informacionet më të ndjeshme, përfshi edhe marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, duket se janë ruajtur në një sistem të veçantë.

Hackerat kanë zbuluar gjithashtu disa nga shqetësimet dhe komunikimet midis 28 shteteve anëtare lidhur me strategjinë e bllokut për tregtinë, anti-terrorizmin, emigracionin dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian, informacione që nëse do të përdoreshin siç duhet mund t’u jepnin përparësi fuqive të huaja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë