Ne rrjet

Kina mbyll sistemin e saj të gjurmimit të transportit të mallrave detare

Ku ka përfunduar flota e anijeve të mallrave që operonin në sipërfaqet detare të KInës? Shumica e anijeve me kontejnerë në portet dhe ujërat territoriale të Kinës, janë zhdukur nga ekranet e "gjurmuesve globalë", lokalizuesve të trafikut detar që ofrojnë harta të dobishme për lundrimin dhe klasifikimin e anijeve falë sinjaleve identifikuese të njësive.

Analistët filluan të shihnin një rënie të të dhënave në fund të tetorit: që atëherë sinjalet e dërguara nga anijet në ujërat kineze, kanë rënë nga 15 milionë në ditë në vetëm një milion.

Sistemi ndërkombëtar i monitorimit, quhet Sistemi i Identifikimit Automatik (AIS) dhe u zhvillua për të kontribuar në sigurinë e lundrimit, shmangien e përplasjeve midis anijeve të mëdha dhe koordinimin e operacioneve të shpëtimit në rast aksidentesh në det.

Sistemi i Identifikimit Automatik, i lejon anijet të dërgojnë të dhëna për pozicionin, kursin dhe shpejtësinë në stacionet e bazuara në bregdet përmes sinjaleve radio me frekuencë të lartë.

Nëse një anije është jashtë mbulimit tokësor, ajo mund të dërgojë informacion përmes satelitit. AIS është bërë gjithashtu mbi të gjitha një mjet për të përmirësuar "zinxhirët e furnizimit tregtar”, sinjalizimin e trafikut pranë porteve dhe kohën e pritjes për ankorimin dhe ngarkimin dhe shkarkimin e kontejnerëve.

Megjithatë, anijet në ujërat kineze janë pothuajse të padukshme në AIS, e cila në ekonominë e dytë më të madhe në botë, praktikisht ka pushuar së punuari. Sipas ekspertëve perëndimorë, një ndërprerje e vendosur nga autoritetet e Pekinit po ndodh.

Më 1 nëntor, "Ligji për Mbrojtjen e Informacionit Personal" hyri në fuqi në Kinë, duke u kërkuar kompanive që përpunojnë të dhënat dhe të marrin miratimin e qeverisë përpara se t'i zhvendosin jashtë territorit kinez.

Ligji i ri, pasqyron shqetësimin e Kinës se të dhënat e mëdha mund të përfundojnë në duart e qeverive të huaja dhe u krijua për të kontrolluar fillimisht aktivitetet e grupeve si “Alibaba” dhe “Tencent”, të cilat operojnë në tregtinë elektronike dhe mesazhet, duke mbledhur një mal me detaje rreth individëve dhe industrive.

Ligji i privatësisë së Kinës, nuk përmend trafikun e anijeve, por është e mundur që kontrollorët të kenë fikur sinjalet e Sistemit të Identifikimit Automatik për shkak të zellit të tepërt, vëren Anastassis Touros, kreu i analizës së të dhënave të AIS për “MarineTraffic”.

Megjithatë, mund të jetë një direktivë e saktë: televizioni shtetëror i Pekinit, vërejti se "inteligjenca e marrë nga këto të dhëna për anijet në ujërat kineze, mund të dëmtojë sigurinë ekonomike të vendit dhe çështja duhet të vlerësohet".

Përshtati: Gazeta: “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë