Politike

Kim “ultimatum” KED-së: Brenda vitit Kushtetuesja

Ambasadorja Yuri Kim i kërkon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që të veprojë me shpejtësi në procesin e vlerësimit të kandidaturave për anëtarët në Gjykatën Kushtetuese.

Kryediplomatja e SHBA në Tiranë ka përshëndetuar Presidentin Ilir Meta dhe Kuvendin e Shqipërisë për publikimin e listës me kandidatët përkatës për dy vakanca në Gjykatën Kushtetuese.

“Presidenca dhe Parlamenti kanë publikuar lista përkatëse me kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese. Nxisim Këshillin e Emërimeve në Drejtësi që të veprojë shpejt me vlerësimin e kandidatëve. Shqipëria duhet të ketë një Gjykatë Kushtetuese brenda këtij viti”, shkruan Kim.

https://twitter.com/USAmbAlbania/status/1318147852821008385

Kuvendi publikoi këtë të hënë listën me kandidatët për vakancën e lënë nga Fatos Lulo, duke i çuar KED-së vetëm tre emrat e Altin Binajt, Ardita Buna Alsulës dhe Ilir Haznedarit.

Ndërkohë, tre ditë më parë Presidenti publikoi listën me dhjetë emra që kanë aplikuar pranë për postin e vakancës së përkohshme në Gjykatën Kushtetuese, të lënë nga ish-gjyqtari, Besnik Imeraj. Gara për këtë vakancë u hap për të tretën herë, pas dështimit të procesit në dy herët e para.

Kandidatët që Presidenti Ilir Meta çoi për vlerësim në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi janë Aleksandër Toma, Altin Binaj, Aldona Sylaj, Ardita Buna, Eugen Papandile, Ilir Haznedari, Klajdi Momne, Orkida Totojani, Përparim Kalo dhe Shaqir Hasanaj.

KED duhet të shqyrtojë dy listat dhe të rendisë kandidatët me sistem pikësh sipas aftësive. Më pas, një listë me 3 emra të përzgjedhur nga 10 kandidatët e dorëzuar nga Presidenca i dorëzohet Metës për të zgjedhur njërin prej tyre dhe një listë me tre kandidatë i dërgohen Kuvendit për të votuar me shumicë votash njërin prej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë