Politike

Kim: Rama më siguroi se Tom Doshi nuk do të ketë asnjë rol në qeveri dhe qeverisje

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim nënkupton se është spekuluar me deklaratën e saj në lidhje me moskandidimin e Tom Doshit në zgjedhje.

Listimi "non grata" nga ShBA nuk pengon që një person të kandidojë në zgjedhje në Shqipëri. Por, Kim thotë se Edi Rama e ka të qartë se çfarë do të thotë listimi "non grata" në ShBA dhe se prej Kryeministrit të Shqipërisë kishte marrë zotimin se Doshi nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri të drejtuar prej tij.

“Më lejoni t’u jap fund spekulimeve: Kryeministri Edi Rama dhe unë patëm një bisedë të qartë se çfarë do të thotë ky listim (non grata në ShBA). Në fakt, Kryeministri më kujtoi se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga Partia Socialiste. Ai theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri në çdo qeveri që ai do të formojë”, shkruan Yuri Kim.

Kjo deklaratë e Ambasadores doli jashtë skenarit mediatik, që u duk se vetë Yuri Kim ndërtoi paraditen e kësaj të enjteje gjatë një komunikimi me gazetarët.

Ambasadorja amerikane u pyet nëse ka ndonjë deputet në Durrës që nuk duhet të kandidojë në zgjedhje.

“Jam ende duke zhvilluar bisedime për këtë pikë që është e rëndësishme. Nga fundi i ditës kam për të thënë diçka”, deklaroi ambasadorja e SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë