Futboll

Kike Setien drejt lamtumirës, 5 kandidatë për stolin e Barcelonës

Me 4 pikë më pas se Real Madridi kryesues, një kampionat të kompromentuar, Grizmanin thuajse të ndarë nga pjesa tjetër dhe Mesin të pasigurt për qëndrimin, te Barcelona ka një përgjegjës. Ai quhet Kike Setien, trajneri që mori drejtimin e skuadrës në fillim të vitit dhe tashmë ka bërë gati valixhet për t’u larguar.

Në rast lamtumire pa përfunduar ky sezon, drejtuesit katalanas e kanë zgjidhjen, do t’ia besojnë drejtimin trajnerit të Barcelonës B, Havier Garsia Pimienta. Ndryshon diskutimi për sezonin tjetër, ku emri më i lakuar për t’u ulur në stolin katalanas është Ksavi, ish-mesfushori dhe një nga lojtarët-flamur të Barcelonës. Ai është kontaktuar edhe në janar, kur u shkarkua Valverde, por nuk ishte i bindur, nëse ishte koha e duhur për të bërë hapin e madh.

Setien në stërvitje me Barcelonën. Gazeta Si, 4 korrik 2020

Në këtë moment duket e vështirë që Ksavi t’i thotë përsëri “Jo” Barcelonës. Një tjetër emër që qarkullon prej kohësh është ai i Marselo Gajardo, trajneri aktual i River Plejtit, një nga trajnerët më të kuotuar të futbollit botëror. Edhe Ronald Koeman, holandezi që ka luajtur për Barcelonën, është një kandidat serioz dhe ai nuk e ka fshehur ëndrrën për t’u ulur në stolin katalanas, por ka dëshirën që të drejtojë Holandën në Europianin e ardhshëm.

Një tjetër emër për t’u marrë në konsideratë është Poketino, aktualisht pa skuadër, pas shkarkimit nga Totenhemi. Kandidatura e pestë është ajo e Roberto Martinezit, trajnerit që e ka çuar Belgjikën në pod gjatë Botërorit të Rusisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë