Shendet

Khosta-2: Shkencëtarët paralajmërojnë se një virus i ri rus i lakuriqëve mund të infektojë njerëzit dhe t’u rezistojë vaksinave të Covid

Kur SARS-CoV-2 u shfaq në Kinë dhe shpejt në të gjithë botën, Donald Trumpit i pëlqente t'i referohej si "virusi kinez".

Pas dy viteve e gjysmë shkencëtarët amerikanë po paralajmërojnë se një virus i zbuluar së fundmi në Rusi është gjithashtu i rrezikshëm pasi infekton njerëzit, shmang antitrupat dhe vaksinat e Covid dhe vjen po nga lakuriqët e natës.

Virusi i lakuriqëve të natës, i quajtur Khosta-2, njihet si një sarbecovirus, e njëjta nën-kategori e koronaviruseve si SARS-CoV-2 dhe shfaq “tipare shqetësuese”, sipas një studimi të ri të botuar në revistën PLoS Pathogens.

Një ekip i udhëhequr nga studiues në Shkollën Paul G. Allen për Shëndetin Global në Universitetin Shtetëror të Uashingtonit (WSU) zbuloi se Khosta-2 ngjan shumë me SARS-CoV-2.

"Kërkimi ynë tregon se sarbekoviruset që qarkullojnë në jetën e egër jashtë Azisë, madje edhe në vende si Rusia perëndimore ku u gjet virusi Khosta-2 gjithashtu paraqesin një kërcënim për shëndetin global dhe fushatat e vazhdueshme të vaksinave kundër SARS-CoV-2", thotë Michael Letko, virolog në ËSU dhe autori përkatës i studimit.

Ai tha se ky zbulim nxjerr në pah nevojën për të zhvilluar vaksina të reja që nuk synojnë vetëm variantet e njohura të SARS-CoV-2, si Omicron, por që mbrojnë kundër të gjithë sarbekoviruseve.

"Viruset e çuditshme ruse"

Mes qindra sarbekoviruseve të zbuluara vitet e fundit, shumica janë gjetur te lakuriqët e natës aziatike dhe nuk janë në gjendje të infektojnë qelizat njerëzore.

Viruset Khosta-1 dhe Khosta-2 u zbuluan te lakuriqët e natës pranë Parkut Kombëtar të Soçit të Rusisë në vitin 2020, dhe fillimisht u duk se ata nuk ishin një kërcënim për njerëzit, sipas autorëve të studimit.

"Genetikisht, këta viruse të çuditshëm rusë dukeshin si disa nga të tjerët që ishin zbuluar diku tjetër nëpër botë, por për shkak se nuk dukeshin si SARS-CoV-2, askush nuk mendoi se ishin vërtet diçka për t'u shqetësuar", tha Letko.

"Por kur i shikuam më shumë, u befasuam vërtet kur zbuluam se mund të infektonin qelizat njerëzore. Kjo ndryshon paksa të kuptuarit tonë për këto viruse, nga vijnë dhe cilat rajone kanë të bëjnë me to".

Për fat të mirë, autorët besojnë se virusit të ri i mungojnë disa nga tiparet gjenetike që mendohet se sulmojnë sistemin imunitar dhe kontribuojnë në sëmundjet tek njerëzit por ekziston rreziku që Khosta-2 mund të bëjë kërdinë duke u rikombinuar me një virus të dytë si p.sh. SARS-CoV-2.

'Karakteristika shqetësuese'

Letko dhe kolegët e tij përcaktuan se Khosta-1 përbënte një rrezik të ulët për njerëzit, por Khosta-2 ishte më shqetësues.

Në veçanti, ashtu si SARS-CoV-2, Khosta-2 mund të përdorë proteinën e saj për të infektuar qelizat duke u bashkuar me një proteinë receptori, të quajtur enzima konvertuese e angiotenzinës 2 (ACE2), e cila gjendet në të gjithë qelizat njerëzore.

Më pas, shkencëtarët donin të zbulonin nëse virusi mund të shmangte imunitetin e ofruar qoftë nga infeksionet e mëparshme të koronavirusit ose nga vaksinat e COVID-19.

Duke përdorur serum nga njerëzit që ishin të infektuar me variantin Omicron, ekipi zbuloi se antitrupat e tyre ishin joefektiv kundër këtij virusi.

Ata gjithashtu testuan serumin e marrë nga njerëzit e vaksinuar kundër COVID-19 dhe zbuluan se Khosta-2 nuk u neutralizua as nga vaksinat aktuale.

I pyetur nëse ai ishte i shqetësuar për teoritë e konspiracionit që mund të shfaqen rreth gjetjeve të tij, Letko u përgjigj se "për fat të keq, kushdo që hulumton viruset e lakuriqëve këto ditë është subjekt i teorive konspirative".

"Qëllimi i kësaj pune është të ofrojë një ide më të mirë se sa të përhapura janë këto lloje të kërcënimeve të virusit, duke nënvizuar idenë se ato nuk janë vetëm në Kinë apo edhe vetëm në Azi", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë