Futboll

Kevin De Bryjne rinovon me Mançester Sitin deri në 2025-ën

Një ditë pas fitores ndaj Borusia Dortmund në ndeshjen e parë çerekfinale në Ligën e Kampionëve, që u hap pikërisht me golin e tij, Mançester Siti ka njoftuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me Kevin De Bryjne.

Mesfushori ka firmosur një kontratë që e mban të lidhur me “qytetarët” edhe për dy sezone të tjera, pra deri në vitin 2025. "Nuk mund të isha më i lumtur sesa jam tani”, - ka komentuar futbollisti belg pas hedhjes së firmës në kontratën e re. Guardiola “blindon” kështu një nga elementët më të mirë të skuadrës së tij.

Kevin De Bryjne është një nga mesfushorët më të mirë në botë aktualisht, mjaft efikas në lojën me topin, i shpejtë dhe golashënues. Më parë futbollisti belg ka veshur edhe fanellat e Çelsit dhe Volfsburgut. Çdo klub që e ka pasur në planet e veta, tashmë duhet të shohë alternativa të tjera, pasi ai ka vendosur të qëndrojë te Siti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë