WhatsApp një prej programeve më të përdorura në mbarë botën, ka rënë pre e hakerave izraelitë, gjatë ditëve të fundit. Programi i cili përdoret nga 1.5 miliardë njerëz në mbarë botën, tregoi se hakerat ishin në gjendje të instalonin një softuer të veçantë në telefonat Android dhe Iphone, duke bërë të mundur përgjimin e mesazheve dhe bisedave.
Kodi dëmtues, i zhvilluar nga kompania izraelite NSO Group, mund të transmetohet edhe nëse përdoruesit nuk u përgjigjeshin telefonatave të rreme që dërgonte kompania. WhatsApp është në pronësi të Facebook dhe prej shumë kohësh tashmë është vlerësuar nga ekspertët e teknologjisë se këto dy programe janë vënë në shënjestrën e hakerave.
Hulumtuesit në Universitetin e Torontos Citizen Lab u shprehën se sulmi që ndodhi të dielën, ishte i lidhur me sulmet kibernetike që ushtrojnë qeveritë nëpërmjet tyre. Produkti kryesor i kompanisë izraelite NSO Group është Pegasus, një program që mund të aktivizojë mikrofonin, postën elektronike dhe kamerën, duke mbledhur edhe të dhënat e vendndodhjes.
NSO reklamon produktet e saj në agjencitë e inteligjencës së Lindjes së Mesme dhe ato perëndimore dhe ka deklaruar se Pegasus, ka për qëllim që qeveritë të luftojnë terrorizmin dhe krimin. NSO u vlerësua kohët e fundit se më anë të këtij programi kishte fituar 1 miliardë dollarë.
Gjithashtu, edhe aktivistë të të drejtave të njeriut në Lindjen e Mesme, kanë deklaruar se kanë marrë mesazhe me tekst në WhatsApp që përmbante informacione si të shkarkonin programin në telefonat e tyre. WhatsApp tha se ekipet e inxhinierëve kishin punuar për orë të tëra për të ndryshuar programin, duke filluar të rregullonin serverët. Inxhinierët kanë bërë thirrje që përdoruesit të përditësojnë programin tashmë që kompania e ka rregulluar.
“Ky sulm ka të gjitha shenjat dalluese të një kompanie private që punon me qeveritë dhe ofron programe që marrin përsipër funksionet e sistemeve operative të telefonisë mobile. Ne kemi informuar edhe një numër organizatash për të drejtat e njeriut, duke shpërndarë informacionin që të informohen njerëzit,” deklaroi kompania.
I pyetur për sulmet ndaj WhatsApp, NSO tha se po hetonte çështjen.
"Në asnjë rrethanë, NSO nuk do të përfshihej në operimin ose identifikimin e objektivave të teknologjisë së saj, e cila përdoret vetëm nga agjencitë e inteligjencës dhe zbatimit të ligjit. NSO nuk do mund të përdorë teknologjinë e vet, për të synuar përgjimin e personave apo organizatave të ndryshme,” deklaruan përfaqësuesit e NSO.
Të martën, NSO do të përballet me një sfidë ligjore për aftësinë e saj, për instalimin e softuerit, të miratuar nga Ministria e Mbrojtjes së Izraelit.
Amnesty International, e cila gjithashtu identifikoi një përpjekje për përgjimin e telefonave, po mbështet një grup të qytetarëve izraelitë dhe grupin e të drejtave civile, duke i kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes të anulojë licencën e NSO.
"Grupi NSO shet produktet e saj qeverive të njohura për abuzime të mëdha ndaj të drejtave të njeriut, duke u dhënë atyre mjetet për të ndjekur aktivistët, kompanitë e ndryshme, njerëzit dhe qeveritë e tjera. Sulmi ndaj Amnesty International ishte diçka e rëndomtë", tha Danna Ingleton, zëvendësdrejtore e Amnesty Tech. /Financial Time/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.