Politike

Këshilli mbështet Bashën: Pa largimin e Ramës nuk ka dialog

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka votuar në mënyrë unanime propozimet e kryetarit Lulzim Basha dhe Kryesisë së PD për zgjedhjet.

Basha i propozoi Kryesisë së partisë që drejton marrjen e 3 vendimeve sot të rëndësishme, një prej tyre se PD do të rezgjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira.

1.Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Situata aktuale politike në Shqipërisë, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.

2.Partia Demokratike e Shqipërisë të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

3.Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mbrojtjen e interesit publik dhe formalizimin e aksionin opozitar për arritjen e këtyre qëllimeve.

Pas mbledhjes, kryedemokrati Lulzim Basha, tha se Partia Demokratike nuk heq dorë nga kërkesa e saj, se është gati të ulet në dialog me mazhorancën për t’i dhënë fund krizës politike, vetëm pasi të jetë larguar nga drejtimi i qeverisë Edi Rama. Ai tha se ky është një kusht i panegociueshëm për të nisur bisedimet me Partinë Socialiste.

“Misioni ynë është i qartë, Këshilli Kombëtar, në përgjigje të aspiratës për ndryshim ka sanksionuar hapat për betejën tonë politike që ka objektiva të qarta të çrrënjosim krimin, korrupsionin që pamundësojnë mirëqenien, - theksoi Basha pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. -  T’i shërbejmë qytetarëve shqiptarë, duke i kthyer shpresën dhe mundësinë në shtëpinë e tyre. Vendimi është i qartë PD do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme”.

Sipas Bashës, “çdo shqiptar e ka kuptuar se kjo qeveri ka rënë moralisht e ndërkombëtarisht, pavarësisht pelivanllëqeve që merret sot kryeministri më i paaftë, çdokush e ka kuptuar që me Edi Ramën nuk vazhdohet më. Në bashkëpunim me të gjithë grupet e interesit do të shpalosim propozimet tona për mandatin e qeverisë tranzitore”.

Basha pohoi se protestat nuk do të ndalen dhe se përballja e opozitës do të vijojë deri në largimin e Edi Ramës.

“Do kemi kohë t’i diskutojmë hap pas hapi. Pa largimin e Edi Ramës do vijojë përballja në të gjitha mënyrat. Protestat do të vijojnë sipas taktikës së shtabit të protestave. Parakushti për një dialog të vërtetë dhe jo tallje me shqiptarët, është largimi i Edi Ramës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë