Politike

Këshilli i Europës jep deklaratë për tërheqjen e vëzhguesve, por më pas zhduket

Këshilli i Europës pasdite me anë të një deklarate për nëpërmjet Anders Knape, zëvendës President i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale në Këshillin e Europës (CLRAE) dha arsyet se pse nuk do të dërgohen vëzhgues për zgjedhjet lokale më 30 qershor.

“Në dritën e zhvillimeve të fundit dhe pasigurisë në Shqipëri në lidhje me pjesëmarrjen e plotë të spektrit politik të kandidatëve dhe partive në zgjedhjet lokale më 30 qershor 2019, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale ka vendosur të mos dërgojë mision vëzhguesish për zgjedhjet.
Duke pasur parasysh faktin se në 31 nga 61 komunat ka vetëm një kandidat në garë për votimin lokal, është e vështirë të pritet një konkurrencë e rëndësishme politike dhe kjo nënkupton rrezikun logjistik për Këshillin se nuk është në gjendje të vendosë një mision të plotë përgjatë gjithë vendit, një procedurë standarde gjatë Misioneve të Zgjedhjeve të Kongresit në përputhje me rregullat tona”, thuhet në këtë deklaratë të lëshuar nga Knape.

Deklarata e KiE-s

Në këtë deklaratë theksohet se misionet e Kongresit bazohen në vëzhgimin e zgjedhjeve lokale dhe rajonale me pjesëmarrje të gjerë të forcave të ndryshme politike të një vendi, dhe kështu Kongresi asnjëherë nuk ka vëzhguar zgjedhje pa pjesëmarrjen kuptimplotë të opozitës.

Gjithashtu në këtë deklaratë bëhet e ditur se qëndrimi i tyre nuk lidhet me ligjshmërinë e zgjedhjeve. “Vendimi i Kongresit është marrë në konsideratë të të gjithë informacioneve të disponueshme për ne, si në lidhje me situatën politike dhe logjistike. Kongresi nuk bën asnjë deklaratë këtu për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve dhe kjo nuk ka të bëjë fare me pyetjen nëse dhe kur do të mbahen zgjedhjet lokale. Ky është vendim autonom vetëm i Shqipërisë”, thuhet më tej në deklaratën e publikuar në faqen online të këtij Këshilli.
Por disa orë pas publikimit të këtij qëndrimi deklarata është zhdukuar nga faqe zyrtare e KiE-s (https://www.coe.int/en/ëeb/congress/-/albania-statement-by-the-president-of-the-congress).

Deklarata e fshire si link nga faqja e CoE

Reagimet e politikës
Largimi i vëzhguesve të Këshillit të Europës ishte një një lajm që u shoqërua paradreken e së mërkurës dhe me një sqarim se do të ishte pikërisht vetë selia qendrore e këtij organizimi që do të jepte aryset se nuk do të dërgonin vëzhguesit, tashmë të akredituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ky lajm tronditi politikën shqiptare, ndërsa solli deklarata akuza dhe kundër e akuza ndërmjet dy liderëve kryesorë të politikës shqiptar, kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryesocialistit Edi Rama.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj , i cili drejton edhe një shoqatën për të zgjedhurit vendorë socialistë, një grupim paralel ky me at që kanë bashkiakët e djathtë, gjatë një takimi elektoral akuzoi opozitën se ka mashtruar KiE-n në lidhje me situatën në Shqipëri.

Duke e konsideruar të pavërtetë dhe të gënjeshtërt lajmin e bërë të ditur nga kryetari i opozitës, Veliaj bëri të ditur se kryetarët e bashkive të djathta kanë mashtruar përfaqësuesit e Kongresit të Autoriteteve Vendore, duke i bërë të ditur se në Shqipëri ditën e diel i pret lufta. Ai shtoi gjithashtu se në cilësinë edhe të përfaqësuesit të kryetarëve të bashkive të Shqipërisë në këtë Kongres ka informuar zyrtarisht këtë autoritet për të vërtetën dhe duke i garantuar se asgjë e keqe nuk do të ndodh. Ndaj tha ai pas këtij sqarimi Kongresi i Këshillit të Europës do jetë në Shqipëri të dielën për të monitoruar zgjedhjet.

“Po çfarë kishte ndodhur? Ishte një organizatë, pra një nga 40 organizatat e cila thoshte që kemi marrë raportime për dhunë. Kjo organizata nuk është Këshilli i Evropës, është një trupë vullnetare brenda Këshillit të Evropës, që quhet Kongresi i Autoriteteve Vendore. Nga e di unë këtë? Se unë si kryetar i bashkive të Shqipërisë jam përfaqësues i Shqipërisë në këtë Kongres, por Luli s’ka si ta dijë këtë se kur ishte kryetar bashkie, jo që s’dinte ku binte Kongresi, nuk dinte ku binte Sahati, shkolla, ku binte kopshti, çerdhja. Çfarë ndodhi? Duke qenë se pjesë e delegacionit që kryesoj unë në Kongresin e Këshillit të Evropës, pra në këtë trupë, brenda një institucioni që ka disa organizma kishin marrë gjithashtu informacion nga Voltana dhe kur marrin informacion nga bashkiakë të tjerë që thonë: Ne këtu ju presim me zjarr, ju presim me gurë, ju qëllojmë me fishekzjarrë, ata thanë, dy duar për një kokë, nëse kjo e çmenduara të vret, pse të shkojmë? Pasi fola me përfaqësuesit e Kongresit dhe pasi u thashë që ne shqiptarët nuk jemi të dhunshëm, një grup i vogël kryetarësh bashkie që djegin shkolla nuk përfaqëson bujarinë dhe mikpritjen shqiptare, edhe Kongresi i Këshillit të Evropës do të jetë këtë fundjavë në Tiranë për të vëzhguar zgjedhjet”, tha Veliaj gjatë një takimi në elektoral në zonën e Dajtit.
Kështu për të majtët vëzhguesit e KiE-s do të dërgojnë vëzhgues, ndërsa kjo pritet për t’u parë nëse do t’i dërgojnë ato me 30 qershor.

 

Më Shumë