Si t’ia dalësh në punë. Si t’ia dalësh si prind. Si t’ia dalësh në martesë. Nuk ka pak libra, këshilla audio, blogë dhe burime sociale të njerëzve gati për këshilla, motivime, këshilla për shtëpi dhe ideja se rritja vetjake, lumturia dhe shëndeti mund të arrihen nëse dikush të ndjek dhe beson.E çfarë i ngelet tjetër një guruje të bëjë? Të shkruajë një libër që të zbarkohet në majë të çdo lloj liste bestselleri, sa për fillim. Duaje ose përbuze, Rachel Hollis ka bërë pikërisht këtë me “Vajza, lani fytyrën”, një përmbledhje gënjeshtrash, që dikur ia rrëfente vetes dhe sesi i largoi ato.
Autorja zbulon njëzet gënjeshtrat dhe konceptet e gabuara, të cilat shpesh na heqin gëzimin e jetës dhe dëshirën për të punuar, gënjeshtra të cilat ua kemi thënë kaq shpesh vetes, saqë nuk kemi nevojë t'i dëgjojmë më.Me një sinqeritet të dhimbshëm dhe humor të guximshëm, Rachel zbulon dhe analizon gënjeshtrat të cilat dikur e bënin të ndihej e dobët dhe e pavlerë, si edhe zbulon strategjitë e veçanta dhe praktike që e ndihmuan t'i kapërcente.
Me këtë libër ajo inkurajon, argëton, nganjëherë edhe trondit, e të gjitha këto, vetëm për t'ju bindur të bëni gjithçka duhet që të pranoni të vërtetën dhe të bëheni ajo gruaja e lumtur dhe me vetëbesim që keni synuar të jeni. Me besim të palëkundur dhe këmbëngulje të fortë, libri “Vajza, lani fytyrën” ju tregon si të jetoni me pasion dhe në lëvizje dhe, si ta falni veten, pa u dorëzuar.
Hollis, 35-vjeçare, është një motor i vogël i jetës së çdo dite, nga provinca e Austinti, Teksas, që e ndan me partnerin e biznesit dhe bashkëshortin prej 14 vitesh, Dave Hollis, katër fëmijët e tyre dhe një qenush me emrin Jeffrey. Familja Hollis bën më shumë sesa qëndron në shtëpinë e tyre, në Austin. Ata vrapojnë, shumë. Ata nxjerrin shumë video live. Shumë. Ata regjistrojnë këshilla në dollapin e tyre dhe organizojnë konferenca për jetën për audiencë kryesisht femërore, që brohorasin dhe hedhin ëndrrat në letër, ndërsa Rachel-i tund krahët dhe hidhet në skenë, duke i nxitur. Hollis-ët pinë ujë, shumë, dhe duan që edhe ju të bëni të njëjtën. Ndoshta, ndërsa ndiqni Rachel-in që ju udhëzon në përgatitjen e vakteve të shëndetshëm për veten dhe fëmijët, stërviteni për gjysmë maratone dhe njëherazi shkruani një libër të ri dhe në të njëjtën kohë, promovoni të fundit.Këta të dy janë “Bërë për më Shumë” është një nga sloganet e tyre dhe janë dyshja më e këndshme që punojnë në të njëjtën hapësirë.
Libri “Vajza, lani fytyrën”, ardhur në shqip nga shtëpia botuese “Minerva”, e nisi me shitjet të ngadalta në ShBA, por më pas u ngjit në krye të listës së më të shitur. Ajo nuk përmbahet, kur përshkruan vetëvrasjen e të vëllait kur ishin adoleshentë, fëmijërinë e tensionuar si vajza e një predikuesi të kishës Pentakostale, në Kaliforninë e Jugut dhe ndonjëherë ankthin drobitës, që e ka pllakosur për shumë vite.
A keni besuar se nuk jeni mjaftueshëm e zonja? Se nuk jeni mjaftueshëm e hollë? Se nuk ju duan? Se jeni nënë e keqe? A keni besuar se e meritoni të trajtoheni keq? Se nuk do ia dilni në asgjë? Të gjitha gënjeshtra!
Ajo shfaqet në Instagram për të përshëndetur “tribunë” e saj përpara kafesë, bën shaka rreth flokëve dhe zgjatimit të qerpikëve dhe merret me më të voglin ndërsa i angazhon fansat, pastaj qorton një prej tre djemve të saj të mos urinojnë në oborr dhe qesh kur thika e kuzhinës i ngec në një kungull, teksa është në live në rrjetet sociale.
Nga kanë ardhur Hollis-ët? Nga Uidpaç, Kaliforni, nga fama e librit “Vilet e Zemërimit” , në fillim me një lëvizje drejt Los Anxhelosit, për të realizuar ëndrrat e saj në moshën 17-vjeçare. Hollis, Dave 43-vjeçar dhe fëmijët e tyre mbërritën në Austin vitin e kaluar, pasi blenë një kishë të vjetër, të cilën e shndërruan në një hapësirë për zyrë.
Si mundet të kalohet nga një blogger-e gatimesh te një planifikuese dasmash për të përfunduar si shkrimtare bestseller? “Ajo që e veçon këtë libër – duket e çalë kur e them – është zëri im. Nuk jam eksperte. Nuk jam guru. Gjithçka kam bërë, puna që kam bërë, ka qenë sikur shoqja të të thoshte se çfarë ka funksionuar për të”, thotë Hollis. “Edhe si blogger-e gatimesh, siç edhe e nisa, thjesht po rrëfeja se çfarë funksiononte për mua. “Hej, kjo është një gjellë që kam gatuar e që i bëri fëmijët e mi të uleshin dhe të hanin darkë.”
Gjatë viteve, përmbajtja e saj ndryshoi ndërsa “u rrit si grua” dhe djemtë e saj – tani 11, 10 dhe 6 vjeç, dolën nga foshnjëria (çifti ka gjithashtu një vajzë të adoptuar 18 muajsh) dhe kuptoi se duhet të ndreqte gabimet, në jetën e saj. “Kisha sulme të rënda ankthi. Po abuzoja me alkoolin. Po bëja zgjedhje të këqija, dhe mendova: “Zot, nuk dua ta kaloj kështu pjesën tjetër të jetës”, ka thënë ajo. “Dua të kem kontroll! Kështu nisa të bëja terapi dhe nisa të lexoja libra dhe të dëgjoja audio-këshilla. Isha si sfungjer për ato informacione.”
Rachel-i nuk Gwyneth Paltrow. Megjithëse admiruese e atyre gjërave që ngjajnë si të përsosura, ajo nuk është e interesuar t’i fusë një shkëlqim gjërave që thotë. Ajo e përplas kafenë si një shefe (duke i shtuar kanellë pasi ka hequr dorë nga qumështi dhe sheqeri), pranon se u bërtet fëmijëve (jo aq shumë tani) dhe e vlerëson dyqanin e taco-ve pranë shtëpisë së tyre, në Teksas.
Po ku hyn Dave në të gjithë këtë? Epo ai ka një tatuazh që shkruan “Aleat” , për t’u kombinuar me atë që kishte e shoqja, “Mogul”. Ai ishte në krye të shpërndarjeve për Disney-in - aty ku bëhen zyrtarisht ëndrrat -për shtatë vjet dhe punoi atje për 17 vjet, derisa kuptoi se ishte një mi korporatash, ndërsa Rachel-i nga shtëpia po arrinte shumë më shumë.
“Më në fund, një ditë thashë: Në rregull, nuk i besoj kësaj. Mendoj se do ketë ndonjë magjie në këtë hapësirë personale zhvillimi, por për ty funksionoi. Duhet të paktën të shoh se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë ai.
Blogu i stilit të jetesës së Rachel-it, “The Chic Site”, është vendi ku ajo vërtet nisi të ndërtojë një biznes. “Vajza, lani fytyrën” është libri i saj i shtatë, nëse numëron edhe një novelë të shkruar shumë kohë më parë. Ajo ka kapërcyer zhanret, nga një roman rreth tri grave që ia dalin mbanë në Los Anxhelos, me dy pasues, te një libër gatimi dhe së shpejti me “Vajza, mjaft kërkuat falje.”
Ndërsa këshillat audio janë kthyer sërish në modë, Hollis-ët ia kanë qëlluar edhe aty. Rachel e nisi e vetme me “Ngrihu!” por ndërsa të dy janë bërë një çift me fuqi vetë-ndihmuese, kanë shtuar “Ngrihuni Bashkë!” , për t’u fokusuar tek martesa. Të dy librat audio ia kanë dalë në dhjetëshen më të mirë në iTunes. Kanë bërë edhe një dokumentar me metrazh të gjatë “Të bërë për më shumë”, rreth konferencës së vjetshme “Ngrihu!” Filmi ishte një ngjarje e shfaqur në kinema për dy net dhe shiti më shumë se 100 mijë bileta në vend.
“Kjo jetë e re”, thotë Dave, “duket si një thirrje,” dhe tingëllon sikur Zoti po na flet”. Këta janë njerëz besimtarë, që nuk kanë turp ta pranojnë por jo aq të fiksuar pas Biblës, ndërsa shpërndajnë vetë-ndihmën që ka funksionuar për ta, si individë ashtu edhe si çift. “Mogul” mbetet fjala e fuqisë së Rachel-it, ashtu si “Aleat” është për Dave-in.
“Refuzoj të jetoj si gjysma e vetes vetëm se ti nuk më përballon dot të tërën,” ka thënë Rachel. “Kam një diplomë të shkollës së mesme. Kur nisa nuk kisha aq shumë kontakte. Nuk njihja askënd. Nuk kisha aftësi. Nuk kisha asgjë. Jam autodidakte në çdo kuptim. Kjo është arsyeja pse ajo fjalë për mua, ishte aq e fuqishme.” (Leanne Italie/ Washington Post)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.