Treg

Kërpudhat imobiliare që po mbijnë në rrjete sociale

Nga Gazeta 'SI' - Rrjetet sociale po gëlojnë nga overdoza e oferta për banesa. Kudo në Instagram, Facebook, Tik-Tok, të hyjnë dhunshëm shumë video promocioni të agjencive imobiliare. Si kërpudhat pas shiut, profilet janë të porsahapura dhe datojnë jo më larg se 4-5 muaj.

Ofertat që publikojnë, janë nga më absurdet.

"Përfitoni nga çmimi, merrni shtëpi me 500 euro kapar si fillim, mundësi pagese me këste pa qenë nevoja të merrni kred"i’", është ky një mesazh i një agjenti imobiliar që promovon shitjet e apartamenteve në bregdet. Shitjet ofrohen edhe që pa nisur ndërtimi.

'Mbirja' e agjencive imobiliare të reja apo agjentëve imobiliar ka nisur paralelisht me atë të lejeve të ndërtimit, të cilat që pas pandemisë, vetëm janë shtuar.

Nga fundi i 2021-shit në 2023-shin, sipas INSTAT janë dhënë 3075 leje ndërtimi të reja në të gjithë Shqipërinë. Kërkesa për blerje banesash ka shënuar një rritje progresive thotë Indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë dhe çdo agjenci imobiliare, vetëm në 2023-shin ka shitur mesatarisht 6.7 banesa.

Në Instagram mund të shohësh oferta nga më të ndryshmet, për apartamente që deri disa vite më parë i shihje me çmim 20-30% më të ulta se çmimet e atëhershme të tregut, por që sot gati janë dyfishuar.

Në zonën e Liqenit të Thatë, apo pranë Presidencës ka njoftime online për apartamente “që bëhet i yti për vetëm 1.5 mln euro”.

Shumë prej postimeve në Instagram bëhen shkak dhe për komente në formë batutash, ku ndjekësit e këtyre faqeve komentojnë për apartamente apo vila me çmime marramendëse që startojnë me nga 2 mijë euro metri katror e çmime mbi 200 mijë euro.

Në raste të tjera profile të tilla krijohen nga poseduesit që nuk operojnë as si agjenci e as si ndërtues. "Thjesht përmes çmimeve tepër të ulta dhe imazheve të pavërteta kërkojnë të shtojnë numrin e ndjekësve që të kenë mundësi më pas t’i shesin numrat apo të mund të përfitojnë të ardhura nga trafiku online", thotë një burim për Gazetasi.al.

Ndërkohë Ervini, pronar i një agjencie imobiliare në Tiranë, që disponon një zyrë dhe disa agjentë në terren, thotë se absurdi qëndron te fakti ku promovohen dhe sipërfaqe toke, duke ofruar apartamente të cilat nuk kanë nisur akoma.

“Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm sepse janë shtuar shumë personat që promovojnë prona të pandërtuara akoma. Duhet të keni kujdes me cilët hyni në bisedime. Qytetari duhet të dijë emrin e ndërtuesit, kohën e zgjatjes së ndërtimit, procedurat e pagesave sepse shumë prej këtyre pronarëve ndryshojnë kushtet e kontratës shpejt duke i vënë qytetarët në presion”, thotë Ervin Demi, agjent imobiliar.

Ajo çfarë konstatohet tjetër nga rrjetet sociale, janë projektet e rezidencave që po ndërtohen në Tiranë. Të gjitha agjencitë imobiliare bëjnë promocion të njëjtat objekte, por çmimet ndryshojnë nga njëra te tjetra.

“Tek Liburna Residence edhe ne patëm disa apartamente me klering, por nuk i vazhduam më. Na u duk një bashkëpunim pa fryte sepse klienti me të drejtë nuk beson dot nga videot që shpërndahen në Tik-Tok. Kërkon më shumë siguri, aq më shumë kur ndërtimet s’kanë nisur akoma", thotë Ervini.

Nga ana tjetër ka diçka të vërtetë tek këto profile. Aty mëson se sa shpesh po ndërtohen dhe sa shpejt janë rritur çmimet. P.sh në Tiranë kupton se një apartament në ‘Don Bosko’ është më shtrenjtë se në Astir dhe një apartament në Astir e Yzberisht është shumë herë më shtrenjtë se sa shitej një vit më parë.

Tirana po zhvillohet e po zgjerohet gjithnjë e më shumë e bashkë me të po rriten katërcipërisht dhe çmimet, duke e shndërruar kryeqytetin tonë në një qytet baraz me Milanon. Agjencitë imobiliare thonë se ky trend do të vazhdojë dhe s’dihet se për sa kohë.

Lejet për ndërtime të reja në kryeqytet vetëm shtohen, ndonëse sipërfaqja për to është reduktuar. Indeksi i ‘KeyData’ tregon se një m2 në zonën e Bllokut shkon mesatarisht 1.600 euro, ndonëse në ndërtimet e reja arrin dhe deri në trefishin e kësaj vlere. Të njëjtat matje tregojnë se në zonat jashtë Unazës së Vogël të kryeqytetit, standardi tashmë është mesatarisht 1.100 euro/m2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë