Rend dhe Ligj

Kërkuan lirimin nga arresti shtëpiak, gjykata refuzon dy ish-deputetët

Dy ish-deputetët socialistë, Arben Ndoka dhe Arben Çuko do të vijojnë të qëndrojnë në arrest shtëpiak. Gjykata për Krimet e Rënda ka refuzuar kërkesën për të liruar nga masa e sigurisë ish-zyrtarët e lartë.

Ata u arrestuan gjatë operacionit "Vol vo 4" në tetor të vitit 2018. Ndoka është i dyshuar për disa vepra penale mes të cilave "tjetërsim pronash" dhe "falsifikim dokumentesh", ndërsa Çuko akuzohet për "korrupsion".

Në tetor të 2018, me dy vendime të veçanta të Gjykatës së Krimeve të Rënda, janë arrestuar Arben Çuko dhe Arben Ndoka, ish-deputetë të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

I pari është arrestuar Çuko, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, si dhe më herët ish-deputet, i cili ka përfunduar në pranga nën dyshimet për korrupsion. Ai ishte shkarkuar nga detyra më 3 shtator 2018 “për keqmenaxhim të patolerueshëm dhe dyshime të forta për korrupsion”, siç shpjegoi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila kishte bërë dhe propozimin për shkarkimin e tij.

Ish drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dyshohet se merrte ryshfet në këmbim të lejeve apo transferimeve të të dënuarve.

Pak pas arrestimit të ish deputetit socialist, u njoftua se të njwjtin fat kishte pasur dhe ishkolegu i tij Arben Ndoka. Ky i fundit është arrestuar së bashku me të vëllain dhe një grup personash të tjerë që dyshohen “për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ‘Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.

“Hetimi disa mujor ka mbledhur prova se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave”, shpjegon më tej njoftimi i policisë.

Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë. Disa javë më vonë, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të ri-shpallur në kërkim.

Emri i Arben Ndokës u lakua për një kohë të gjatë në vitin 2014, kur ai ishte deputet. Partia Demokratike publikoi në atë kohë dokumentat sipas të cilave Ndoka rezultonte të ishte dënuar në Itali, në fund të viteve ’90 me mbi 7 vjet burgim, për “shfrytëzim prostitucioni në rrethana të rënduara”, dhe se një pjesë të dënimit e kishte shlyer në burgjet shqiptare.

Rasti i deputetit Ndoka, ndonëse pa u përmendur me emër, u përfshi në vitin 2015, në raportin e departamentit amerikan të shtetit mbi Trafikun e Personave.
Nën një trysni në rritje, në muajin shtator të vitit 2015, Ndoka dha dorëheqjen nga parlamenti, duke dorëzuar mandatin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë