Drejtësia

Kërkoi kthimin e telefonit dhe kompjuterit, GJKKO rrëzon kërkesën e Jamarbër Malltezit

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezit, për kthimin e telefonit celular.

Malltezi kishte kërkuar kthimin e telefonit, kompjuterëve dhe disa materialeve të tjera shkresore, të sekuetruara nga ana e SPAK.

Gjyqtarja Gjoka la në fuqi masën e sekuestros me argumentin se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë Malltezi mbahet i arrestuar për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave në lidhje me hetimet e nisura për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv "Partizani". Në po të njëjtën dosje është në akuzë dhe hetim edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë "detyrim paraqitje".

Sipas prokurorisë, dyshimet janë për favorizim në miratimin e ligjeve dhe akteve të tjera për të çuar drejt privatizimit të kompleksit Partizani, i cili ka qenë terren sportive.

Së bashku me ta, nën hetim është edhe Fatmir Bektashi, pronar i kompanisë "Kontakt", pasi dyshohet se përmes këtij subjekti ka përfituar në mënyrë të padrejtë edhe Malltezi.

Të akuzuarit kanë kundërshtuar akuzat e ngritura, duke theksuar se Malltezi ka përfituar pjesën që i takon si ish-pronar i truallit dhe se ka kryer veprimtari ligjore në kompaninë që ndërtoi mbi sipërfaqe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë