Drejtësia

Apeli i GJKKO-së cakton datën dhe gjyqtaren e seancës për masat ndaj Berishës dhe Malltezit

Gazeta Si - Më 20 nëntor në ora 09:00 do të mbahet seanca në Apelin e GJKKO-së seanca për masën e sigurisë ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi të akuzuar dhe në hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Gjyqtarja e kësaj çështje është caktuar me short Iliriana Olldashi.

Në të njëjtën ditë, në orën 10:00, Sali Berisha duhet të paraqitet para oficeres së BKH-së Adelajda Metaj për të firmosur, për shkak të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.

Ankimimi ishte bërë një ditë më parë më 14 nëntor nga avokatët mbrojtës të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, të cilët kërkojnë rrëzimin e masave të sigurisë.

Berisha ka masë sigurie detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë vendit, ndërsa Malltezi është nën “arrest në burg”.

Më herët, GJKKO i ka dërguar një tjetër shkresë Berishës në kryesinë e Kuvendit, ku e njofton atë për lënien në fuqi të masës, “detyrim paraqitje”.

Dokumenti është protokolluar nga ana e Kuvendit, ndërsa mësohet se ish kryeministrit i është dërguar edhe përmes postës elektronike, email, vetëm faqja e parë e praktikës që GJKKO ka dërguar në Kuvend.

Gjykata ka vendosur ndaj Berishës masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, si dhe “ndalimin për të dalë jashtë vendit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë