Politike

Kërkohet leja për arrestimin e tij, por Berisha thërret protestë dhe çon padi në Kushtetuese për ta pezulluar  

Pas një përpjekje tre ditore, Sali Berisha ka mundur që të marrë votat e deputetëve edhe nga grupi ‘Bardhi’ për të siguruar kuorumin e nevojshem për të cuar në Kushtetuese vendimin e GJKKO për masën shtrënguese ndaj tij.

Objekti i padisë, që u depozitua nga deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, i shoqëruar edhe nga përfaqësuesit ligjor Ivi Kaso dhe Franc Nuri, konsiston në zgjidhjen e kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe SPAK e GJKKO  sa i takon çështjes së heqjes dhe/ose kufizimit të lirisë së deputetit të Kuvendit.

Një grup deputetësh pretendojnë se masa e marrë ndaj Sali Berishës ‘detyrim paraqitje’, më 20 tetor, për aferën e privatizimit të klubit sportiv Partizani, është antikushtetuese pa u kërkuar paraprakisht autorizimi i Kuvendit.

Ata kërkojnë që të pezullohet masa shtrënguese ndaj Berishës derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet me vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje.

‘Ne kërkuesit, me cilësinë e 1/5 të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, po Ju parashtrojmë në vijim faktet, provat dhe argumentat ligjore, se përse kemi paraqitur këtë kërkesë, e cila në thelb synon të zgjidhë konfliktin e kompetencave ndërmjet institucionit të Kuvendit nga njëra anë dhe pushtetit gjyqësor nga ana tjetër, për sa i përket heqjes dhe/ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit. Nisur nga sa do të argumentojmë në vijim, ne kërkuesit i kërkojmë gjithashtu Gjykatës Kushtetuese interpretimin përfundimtar të Nenit 73, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që konflikte të ngjashme të mos përsëriten në të ardhmen.’- thuhet në padinë e deputetëve të grupit Bardhi-Berisha.

Gazment Bardhi e ka ndihmuar ëer firmat por jo për një tjetër aksion që Berisha synonte ta ndërmerrte qysh të enjten atë të protestave në dyert e Kuvendit. Këtë të fundit, Berisha e ka zgjidhur përmes një mbledhje kryesie ku ka kërkuar më pas të mblidhen edhe kryetarët e degëve me qëllim zhvillimin e dy protestave; një të hënën kur do të zhvillohet mbledhja e paralajmëruar e Këshillit të Mandateve për heqjen e mandatit me kërkesë të SPAK dhe tjetra të enjten ku do të mbahet edhe seanca e fundit plenare për këtë sesion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë