Futboll

Habit FSHF, kërkon tifozë në stadium ndërsa Covid shënon rekorde ditë pas dite

Në një deklaratë të habitshme për shtyp, FSHF kërkoi nga autoritetet shtetërore që finalja e Kupës së Shqipërisë të luhet me një numër të kufizuar tifozësh, pas portave respektive, sikurse në finalen e Kupës së Francës, PSG-Lyon.

Nuk vonoi shumë, edhe Vllaznia i kërkoi Federatës Shqiptare të Futbollit, që në kërkesën e saj drejtuar autoriteteve për të lejuar luajtjen me tifozë të ndeshjes finalen të Kupës së Shqipërisë, Teuta-Tirana, të përfshihet edhe “play out”-i mes shkodranëve dhe Besëlidhjes.

Po, sot Ministria e Shëndetësisë në raportin e saj ditor njoftoi një numër të lartë të rasteve të reja me koronavirus, më konkretisht 120, teksa fatkeqësisht kanë humbur betejën me këtë sëmundje 4 persona. Duke pasur çdo ditë shifra të larta a ja vlen të diskutohet mundësia e tifozëve ne stadium?

Kjo e sotshmja nuk është tentativa e vetme nga ana e futbollit shqiptar për të luajtur me tifozë. Fillimisht u kërkua që derbi midis Partizanit dhe Tiranës të luhej me tifozë, kërkesë që nuk u mor parasysh. Me vonë ishte ekipi i Tiranës që me një kërkesë zyrtare kërkoi praninë e tifozëve ne festën e 100 vjetorit. Jo vetëm që nuk u aprovua, por edhe u gjobitën.

Franca me të vërtetë lejoi një numër te kufizuar tifozësh, por gjithçka ishte brenda normave. Distanca dhe përdorimi i maskave zbatohej me përpikmëri. Duke parë situatën aktuale ne vendin tonë, ku në përditshmërinë nuk respektohen rregullat, është e pamundur ta pretendosh që te zbatohet kjo gjë gjatë një ndeshje futbolli.

Është e vërtetë që futbolli pa tifozë nuk ka kuptim, por këto janë kushtet në gjendje pandemie. Shifrat nuk janë inkurajuese dhe të "ngacmosh"" dy vatra të nxehta si Tirana dhe Shkodra vetëm për një ndeshje futbolli do ishte një çmenduri. Deri në fillimin e sezonit të ardhshëm duhet hartuar një protokoll i veçantë vetëm për tifozët, përndryshe situata nuk mund të ndryshojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë