Treg

Kërkesë e lartë për investime në borxhin e qeverisë, yield-et vazhdojnë rënien

Nga Gazeta ‘SI’- Titujt qeveritarë të borxhit në Shqipëri vazhdojnë të kenë kërkesa të larta ndonëse interesat kanë vijuar me ulje. Pas një periudhe të shkurtër qëndrueshmërie, kryesisht tek Bonot e Thesarit, yield-et e letrave me vlerë nuk po i përgjigjen më rritjes së normës së interesit.  

Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare me rënie

Yield-i i titullit të dytë më afatgjatë (pas atij 15-vjeçar) pësoi rënie të fortë në ankandin e fundit, nga 7.6% në 6.6% një muaj më parë.

Interesi vazhdoi të ishte i lartë, 4.1 mld lekë më shumë nga shuma e shpallur që ishte 3 mld. Ministria e Financave pranoi 3.45 mld.

Yield-i i obligacioneve 2-vjeçare përsëri me rënie

Në ankandin e fundit të obligacioneve 2-vjeçare, yield-i pësoi një rënie të mëtejshme në nivelin 4.35%, nga 4.5% që kishte qenë në ankandin e fundit. Shuma e shpallur arriti nga 6 mld në 9.26 mld, dhe MFE pranoi vetëm 6.9 mld.

Rënia e interesit të borxhit lidhet me interesin e lartë nga klientët dhe me sigurinë që tregojnë investitorët për të ardhmen, që duket se nuk është luhatur as nga rritja e fundit e normës së interesit nga BSH. 

Në muajt e fundit të vitit 2022, normat e titujve pësuan një rritje të fortë si kundërpërgjigje e rritjes së normës së interesit. Por fillimi i vitit 2023, kur BSH kishte pezulluar rritjen e interesit bazë, solli ulje të yield-eve.

Titujt duken ende si formë e sigurt investimi për investitorët, për kredimarrësit me norma të ndryshueshme dhe sigurisht për qeverinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë