Politike

Kërkesa e SPAK, Çuçi: Votojmë pro arrestimit të Berishës, Ahmetajt do i digjet mandati vetë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi tha se Partia Socialiste do të votojë pro kërkesës së SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë për Sali Berishën.

“Pa diskutim që do ta votojmë. Ne nuk kemi diskutuar mandatin edhe të kolegëve tanë kur vjen puna kur SPAK kërkon një gjë të tillë dhe nuk diskutohet fare që ne do ta votojmë pro”, tha Çuçi.

I pyetur nëse PS kishte përjashtuar nga grupi parlamentar, Arben Ahmetaj, Çuçi tha: “Ahmetaj nuk është fare në Shqipëri dhe shumë shpejt do merret një vendim edhe nga grupi por edhe do i digjet mandati”.

Kreu i Grupit të PS-së, Bledi Çuçi ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës nuk po mbahet i fshehur, por është në proces parlamentar.

Sa i përket diskutimit për një tjetër mandat deputeti të PS-së asaj të Olta Xhaçkës, referuar një vendimi ndaj saj nga Gjykata Kushtetuese, Çuçi u përgjigj:

“Nuk është e fshehur vendimi i Kushtetueses, është në proces parlamentar. Nuk është një vit më duket mos të abuzojmë me kohën, por është në proceset parlamentare.

Duhet të kuptoni se vendimi i Gjykatës thotë se kjo nuk është gjë tjetër veçse çështje Parlamenti”, tha Çuçi.

Gjykata Kushtetuese në janar shfuqizoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të bllokuar dërgimin për interpretim në këtë gjykatë të mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” dhe përfitoi veç të tjerash përmes një vendimi qeverie edhe shfrytëzimin e brigjeve të detit.

Vendimi i Kushtetueses për mandatin e deputetes socialiste mbetet i pazbatuar prej gati 1 viti në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë