Politike

Kërcënoi me kanun prokurorët, arrestohet deputeti Milaim Zeka

Milaim Zeka, deputet i Nismës në Kuvendin e Kosovës shquhet për deklarata të shkujdesura, por një e tillë e bërë së fundmi e ka vendosur atë nën prangat e Policisë në Prishtinë.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria konfirmuan se këtë të mërkurë është arrestuar deputeti me akuzën e kërcënimit të një prokurori.

Akuza lidhet me një deklaratë të bërë ditët e fundit prej Milaim Zekës ndaj prokurorit Afrim Shefkiut, i cili ka në dorë hetimet për abuzimet me listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zeka akuzon prokurorët Afrim Shefkiu dhe Aleksandër Lumezi se i kanë publikuar në media të dhëna personale duke i vendosur në rrezik sigurinë familjare.

“Prokurori Afrim Shefkiu së bashku me Aleksandër Lumezin mua më kanë kërcënuar, më kanë vënë në rrezik jetën e familjes me fotografitë private, gjërat private që më kanë rrezikuar jetën dhe kam marrë 100 kërcënime nga banditë të rrezikshëm anekënd Kosovës. Juridikisht penalisht, privatisht dhe me kanun deri në vdekje do t’i ndjek, Afrim Shefkiun, Aleksandër Lumezin dhe Hashim Thaçin”, deklaronte ai.

Fill pas kësaj deklarate ka reaguar Këshilli i Prokurorisë i Kosovës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dënon ashpër deklarimet publike dhe kërcënimet, të cilat kohëve të fundit janë drejtuar ndaj prokurorëve të shtetit, në veçanti, dënon deklarimin kërcënues të deputetit Milaim Zeka ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Afrim Shefkiu”, u tha në deklaratë.

Nga reagimet në letër, Prokuroria konkretizoi veprimet e saj duke vënë në pranga deputetin, të cilit i është komunikuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërkohë që organet hetuese thonë se aktualisht janë në fazën fillestare të hetimeve ndaj tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë