Lajme

Kërcënohet Basha? Lleshaj thërret në zyra truprojën e liderit të opozitës. PD: Shantazh

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm ku pretendon se është kërcënuar kryedemokrati Basha.

Në shkresën drejtuar ministrit të Brendshëm e që mban firmën Bardhit, demokratët i referohen një takimi të ministrit Lleshaj me një prej punonjësve të Gardës së Republikës, Feim Dollapaj, truprojë e Lulzim Bashës, mbi rrezikun që i kanoset sipas Ministrisë së Brendshme kreut të opozitës.

Bardhi thotë se ministri duhet t'i informojë zyrtarisht, ndryshe do ta konsiderojnë manipulim për qëllime politike duke theksuar se nëse rreziku që i kanoset Bashës rezulton i pavërtetë, atëherë Lleshaj do të mbajë përgjegjësi.

"Duke pasur parasysh rrethanat kur dhe si është zhvilluar ky takim dhe shkeljen e standardeve ligjore dhe institucionale nga ana juaj në trajtimin e informacionit që pretendoni se posedoni, përforcohet dyshimi se qëllimi i vërtetë i takimit ka qenë shantazhimi i kryetarit të opozitës", thotë Bardhi.
Gazmend Bardhi shkruan se Lleshaj ka shkelur çdo procedurë dhe çdo mënyrë institucionale të trajtimit të kësaj çështjeje.
Në letrën e PD për ministrin e Brendshëm thuhet se duke marrë parasysh rrethanat dhe shkeljet ligjore në trajtimin e kësaj çështjeje, përforcohet dyshimi se qëllimi i vërtetë i takimit ka qenë shantazhi i kryetarit të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë