Lajme

Kërcënimi ndaj Bashës, Meta thërret shefin e SHISH dhe Komandantin e Gardës

Pas lajmit për kërcënimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Presidenti Ilir Meta ka thirrur në një takim urgjent shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Komandantin e Gardës së Republikës. Helidon Bendo dhe Gramoz Sako po japin informacione te kreu i shtetit për këtë kërcënim, i cili u mësua pas letrës që sekretari i Përgjithshëm i PD-së i dërgonte ministrit të Brendshëm Sandwr Lleshaj, pasi ky i fundit kishte takuar në zyrën e tij truprojën e liderit të opozitës. Deri tani nuk ka detaje se nga dhe kush e ka kërcënuar zotin Basha.
Ky zhvillim erdhi pak pasi Basha refuzoi që të shkojë në Prokurori për t’u njohur me akuzën në lidhje me hetimet për paratë ruse dhe në anën tjetër kur PS zyrtarizoi kërkesën për shkarkimin e presidentit Meta, ndërsa palët janë në konflikt për zgjedhjet e 30 qershorit, datë e zhdekretuar nga kreu i shtetit, por që për socialistët nuk ka asnjë mëdyshje se në këtë ditë shqiptarët do të votojnë.

Lleshaj thërret në zyra truprojën e liderit të opozitës. PD: Shantazh

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm ku pretendon se është kërcënuar kryedemokrati Basha. 

Në shkresën drejtuar ministrit të Brendshëm e që mban firmën Bardhit, demokratët i referohen një takimi të ministrit Lleshaj me një prej punonjësve të Gardës së Republikës, Feim Dollapaj, truprojë e Lulzim Bashës, mbi rrezikun që i kanoset sipas Ministrisë së Brendshme kreut të opozitës.

Bardhi thotë se ministri duhet t’i informojë zyrtarisht, ndryshe do ta konsiderojnë manipulim për qëllime politike duke theksuar se nëse rreziku që i kanoset Bashës rezulton i pavërtetë, atëherë Lleshaj do të mbajë përgjegjësi.

“Duke pasur parasysh rrethanat kur dhe si është zhvilluar ky takim dhe shkeljen e standardeve ligjore dhe institucionale nga ana juaj në trajtimin e informacionit që pretendoni se posedoni, përforcohet dyshimi se qëllimi i vërtetë i takimit ka qenë shantazhimi i kryetarit të opozitës”, thotë Bardhi.
Gazmend Bardhi shkruan se Lleshaj ka shkelur çdo procedurë dhe çdo mënyrë institucionale të trajtimit të kësaj çështjeje.
Në letrën e PD për ministrin e Brendshëm thuhet se duke marrë parasysh rrethanat dhe shkeljet ligjore në trajtimin e kësaj çështjeje, përforcohet dyshimi se qëllimi i vërtetë i takimit ka qenë shantazhi i kryetarit të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë