Politike

Akuzat e Metës për Dumanin/ Ambasadori i BE, Gonzato: Sulmet ndaj gjyqësorit nuk janë të denja për demokracinë

Një ditë pasi AmbAsada Amerikane dhe ajo Britanike në Tiranë dënuan sulmet e Ilir Metës ndaj SPAK-ut dhe kreut të saj Altin Dumani, sot ka reaguar edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë Silvio Gonzato.

“Nuk mendoj se sulmet ndaj gjyqësorit janë të denja për demokracinë. Kemi folur kështu që dua ta lë me kaq”, është shprehur ai gjatë një aktiviteti për rininë në Vlorë.

Ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, këto ditë ka sulmuar ashpër Dumanin. Një ditë më parë, Meta akuzoi kreun e SPAK se hetimi ndaj tij nisi në vitin 2019, pas takimit që Dumani pati me ish-agjentin e lartë të FBI, Charles McGonigal. Meta përdori një gjuhë fyese ndaj Dumanit, ku aludoi se rihetimi i tij për çështjen CEZ-DIA bëhet me qëllim asgjësimin e Partisë së Lirisë.

Një ditë më parë BE shprehu mbështetjen “ndaj magjistratëve të angazhuar në drejtësinë e re, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”.

“Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Ne mbështesim deklaratat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë duke dënuar si papranueshme deklaratat publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar“, thuhej në deklaratën e BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë