Ne rrjet

Keqardhja e Zelenskit: Fëmijët? Gruaja ime Olena dhe lufta po i rrisin ata

Gazeta Si - “Disa thonë se unë nuk jam një president i keq, por sigurisht që nuk jam një baba i mirë tani. Më vjen keq që nuk kam kohë për fëmijë dhe që ata nuk janë rritur nga unë: tani gruaja ime dhe lufta po i rrisin ata”.

Këto janë reflektimet e hidhura që presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, pas një viti e tre muajsh pas pushtimit rus të Ukrainës, ndau në një tryezë të rrumbullakët me gazetarë të mediave të ndryshme skandinave.

“Nuk mund të shkëputem nga konflikti as për një moment, dhe lufta nuk është diçka me të cilën mund të mësohesh, - tha ai. - Herën e parë që çliruam një territor ishte si të ktheheshim në jetë”.

Volodimir Zelenski dhe gruaja e tij Olena, të dy 45 vjeç, kanë dy fëmijë: Oleksandra, e lindur në vitin 2004 dhe Kyrylo, i lindur në 2013-ën.

Djali i vogël ka muaj që thotë - siç e përsërit shpesh babai i tij në intervistat e tij - se ai dëshiron të bëhet, “kur të rritet”, ushtar.

Një familje që si pothuajse të gjitha familjet bashkëtdhetare u shkatërrua nga lufta. “Nëse nuk do të isha president, do të isha në fushë duke luftuar”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas - i cili në orët e fundit ka folur në telefon me presidentin francez Emmanuel Macron dhe atë zelandez Chris Hipkins - më pas garantoi se mbante një armë dhe shpjegoi se do ta përdorte atë për t'u mbrojtur nëse rusët sulmonin selinë presidenciale në ditët e para të pushtimit.

“Unë di të gjuaj. A mund ta imagjinoni titullin: ‘Presidenti ukrainas i kapur nga rusët’"? Do të ishte një turp”.

Kievi ka raportuar më parë se rusët kishin planifikuar të kapnin presidentin ukrainas në fillim të pushtimit, por se komploti u pengua përpara një bastisjeje të mundshme në selinë e qeverisë në rrugën “Bankova”.

"Askush nuk do të ishte zënë rob, sepse ne kishim përgatitur seriozisht mbrojtjen e rrugës ‘Bankova’", - tha Zelenski, duke shpjeguar se ai dhe rrethi i tij i ngushtë do të luftonin deri në vdekje.

Kur u pyet nëse mban një armë dhe praktikon përdorimin e saj, ai tha po. Megjithatë, ai theksoi se me siguri nuk do ta përdorte atë për të kryer vetëvrasje, "por sigurisht për t’iu përgjigjur zjarrit" armik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë