Futboll

“Këpuca e Artë”, Levandovski nis shkëputjen me një rekord personal

Me rikthimin e kampionateve është ndezur edhe sfida mes sulmuesve më me emër për trofeun e “Këpucës së Artë 2019/2020” në Europë. Para ndalesës së futbollit për shkak të pandemisë, Çiro Imobile, sulmuesi i Lacios, i shihte të gjithë nga lart, me 27 gola të shënuar në 26 ndeshje në Serinë A, por tani në krye të klasifikimit të shënuesve më të mirë është Robert Levandovski.

Pas 4 javëve që ka zhvilluar Bundesliga pas rikthimit në fushë, bomberi polak e ka kaluar Imobilen. Ai ka shënuar ndaj Union Berlinit, kundër Eintraht Frankfurtit dhe së fundi dopietë në fitoren 5-0 të Bajernit ndaj Fortuna Dyseldorf. Levandovski është ngjitur në kuotën e 29 golave në 27 ndeshje dhe sulmuesi i Lacios duhet të shqetësohet në sfidën personale me të.

Për momentin, Levandovski ka 58 pikë dhe Imobile 54 pikë, duke qenë se të dy bëjnë pjesë në kampionate me faktor 2 (pra 1 gol vlen 2 pikë). Në këtë garë, Imobile rrethohet nga bomberat e Bundesligës, të cilët kanë përfituar nga rifillimi më shpejt i kampionatit për të shtuar golat dhe pikët. Në vend të tretë është Timo Verner i Lajpcigut, me 48 pikë pas 3 golave të shënuar në ndeshjen e fundit. I katërti është Herling Haland, që u ndal nga një dëmtim në ndeshjen me Bajernin. Më pas vjen Kristiano Ronaldo, i 5-ti me 21 gola dhe 42 pikë. Romelu Lukaku i Interit është i 10-i, me 17 gola dhe 34 pikë.

Postimi i Bajernit në Tuiter pas golave të fundit të Levandovskit. Gazeta Si, 31 maj 2020

Robert Levandovski është sulmuesi më i veçantë në këtë garë. Ai nuk fal askënd: 29 gola në kampionat dhe 43 në total për këtë sezon. Me golat e shënuar ndaj Fortuna Dyseldorf ai ia ka dalë t’u shënojë të gjitha skuadrave të Bundesligës. Një arritje që është përshëndetur edhe nga klubi bavarez me një postim në Tuiter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë